Rama nga Rrajca: Agroturizmi, rrugëdalje nga varfëria

schedule11:48 - 2 Prill, 2019

schedule 11:48 - 2 Prill, 2019

Nga Rrajca, aty ku do të kryehet një investim që do të sjellë ujë 24 orë, Kryeministri Rama deklaroi se nuk do të jetë i vetmi investim për zonën. Ai theksoi se do të punohet edhe për shkollën dhe rrugën e vendit. Ndërkohë bëri thirrje që banorët e Rrajcës t’i japin rëndësi agroturizmit si një mundësi për daljen nga varfëria.

“Ne e kemi vendosur Rrajcën në 100 fshatrat që do të investohet për ujësjellësin. Investimi për ujin nuk është i vetmi. Do të investojmë për shkollën, për rrugën dhe për agroturizmin. Këtu ka një potencial të madh. Kushdo që ka një shtëpi që mund të ofrojë mikpritje për të tjerë dhe që nuk ka mundësi që të përfshihet në eksportin e madh bujqësor, duhet të shohë agroturizmin si rrugëdalje nga varfëria. Agroturizmi do të thotë të investosh në shtëpinë tënde, për të pritur njerëz që vijnë, që kalojnë 1 ose 2 netë, që konsumojnë produktet tuaja, të shohin zonat tërheqëse dhe kështu nuk shkon ti me çantë në krahë me 20 kilogramë domate që të shesësh prodhime në rrugë, por vjen tek ty paraja, nëpërmjet atij turistit”, tha kryeministri.

Kreu i qeverisë deklaroi se fondet për agroturizmin do vijnë duke u shtuar.

“Këto fonde për agroturzimin do vijnë duke u shtuar. Një pjesë është vënë nga qeveria shqiptare dhe fonde nga Komisioni Evropian. Nuk janë kredi, janë para që merren për të realizuar projekte në fshat, projekte bujtinash, projekte agroturizmi”, u shpreh Rama./abcnews.al