Gruaja më e pasur e Rusisë ka gjetur vdekjen në një aksident ajror në Gjermani. 55-vjeçarja ishte pronare e një linje ajrore dhe disa herë kishte ngjitur majat e klasifikimit të njerëzve më të pasur në revistën FORBS.
Një nga gratë më të pasura të Rusisë ka gjetur vdekjen bashkë me dy persona të tjerë në një aksident ajror të ndodhur në jug-perëndim të Gjermanisë. Identiteti i Natalia Fileva, bashkëpronare e linjës private ajrore ruse “S7”, u konfirmua ditën e hënë nga vetë kompania përmes një komunikate për shtyp. Fileva, bashkëshorti i të cilës është shefi ekzekutiv i linjës “S7”, në vitin 2018 u rendit nga revista “Forbes” si gruaja e katërt më e pasur e Rusisë, me 600 milionë dollarë të ardhura. 55-vjeçarja po udhëtonte me një avion të vogël privat të tipit “EPIK-LT” drejt aeroportit të Frankfurtit kur mjeti humbi kuotë dhe u përplas në tokë.
Kompania “S7” ka bërë me dije se avioni ka marrë flakë menjëherë sapo ka prekur terrenin, ndërsa ka shtuar se shkaqet e rrëzimit janë ende të panjohura. Ndërkohë, një tjetër pasagjer që dyshohet të jetë babai i Filevës dhe piloti i mjetit humbën gjithashtu jetën. Mediat gjermane kanë bërë me dije se avioni ishte nisur nga qyteti francez i Kanës dhe ka nënvizuar se Agjencia Federale e Aviacionit ka nisur një hetim. Tragjedia ajrore u pasua nga një aksident rrugor pranë vendit të ngjarjes, ku humbën jetën 2 persona dhe u plagosën 3 të tjerë./abcnews.al