Ngjarjet kriminale në Shkodër janë bërë objekt debati mes ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi. Gjatë prezantimit të prefektit të qytetit Valdrin Pjetri, ata deklaruan se krimi në këtë zonë është i egër dhe se duhet bashkëpunim i ngushtë për të dalë nga kjo situatë.
Ekzekutimi i dy vëllezërve Bilali në Shkodër, për kryebashkiaken e Shkodrës Voltana Ademi ishte ngjarje më tepër se e rëndë. Në një takim me Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe titullarë të policisë dhe ata vendorë, ajo tha publikisht se ndihet e kërcënuar nga krimi. Ajo afroi bashkëpunimin që bashkë me policinë dhe qytetarët të luftojnë krimin, por tha se krimi ka marrë zemër për shkak se nuk është parandaluar.
Më herët në takim, ministri Lleshaj tha se krimi në Shkodër është akomuluar prej dekadash. Ai dha garancitë se me shtimin e mekanizmave në Policinë e Shkodrës, me staf edhe nga Policia e Lezhës dhe Kukësit, situata do të ndryshojë. Lleshaj kërkoi mbështetjen e qytetarëve dhe besimin se policia do të luftojë bandat kriminale.
Në fund të takimit në Prefekturë, kryetarja e Bashkisë Ademi debatoi me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj prezantoi Prefektin e ri të Qarkut Shkodër Valdrin Pjetri. Ky post më parë mbahej nga Çesk Milja./abcnews.al