Afazia, neurologu: Një nga manifestimet më të rënda të sëmundjeve cerebrale

schedule20:36 - 11 Prill, 2022

schedule 20:36 - 11 Prill, 2022

Neurologu Erion Dushi në Spitalin “Hygeia” shpjegon se kemi të bëjmë me çrregullim të  funksionit gjuhësor të njeriut që ka të bëjë me aftësinë për tu shprehur apo për t’u kuptuar.

“Gjuha, është funksion mjaft kompleks që realizohet nga një seri qendrash të trurit që ndërveprojnë me njëra-tjetrën dhe prekje të ndryshme të këtij rrjeti, mund të manifestojnë forma të ndryshme të afazisë. Në disa raste, pacienti mund të humbasë rrjedhshmërinë e të folurit, bëhet i ngadaltë, nuk arrin të lidhë fjalët me njëra-tjetrën. Në raste të tjera, pacienti duket sikur flet, por fjalët thjesht nuk kanë më kuptim.”

Afazia shfaqet tek pacientët që pësojnë goditje truri apo infeksione të sistemit nervor qendror, sëmundje tumorale apo ato që vuajnë nga krizat epileptike.

“Shpesh herë shfaqet në mënyrë të menjëhershme tek një pacient që pëson goditje të trurit, siç mund të jetë një ishemi cerebrale apo infeksionet e sistemin nervor qendror, sëmundjet inflamatore, sëmundje tumorale. Në disa raste mund të shfaqen edhe në probleme relativisht të zakonshme siç mund të jenë forma të caktuara të migrenës apo krizave epileptike.”

Trajtimi i afazisë është mjaft delikat. Fillimisht duhet përcaktuar shkaktari primar i saj. Megjithatë në një pjesë të rasteve është i mundur lehtësimi i simptomave. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!