Një fanatik kundër vaksinave dhe i bindur se toka është e sheshtë, rrëmbeu dhe mbajti peng për disa orë presidentin e komisionit zviceran përgjegjës për fushatën e vaksinimit kundër Covid, sipas Reuters.
Ngjarja ndodhi disa ditë më parë në Zyrih por policia e ka mbajtur të fshehtë deri këtë të dielë kur vetë mjeku, Kristof Berger, rrëfeu çdo gjë publikisht. Kristof Berger 59 vjeç, është një personazh i njohur në Zvicër sidomos prej pandemisë. Rrëmbimi i tij ndodhi disa ditë pasi qeveria zvicerane hoqi pjesën më të madhe të kufizimeve në lidhje me Covid.
Autoritetet vetëm kishin konfirmuar se dy persona mbetën të vrarë në një shkëmbim zjarri me policinë gjatë përpjekjes për arrestimin në apartamentin e tyre. Dy viktimat janë rrëmbyesi dhe e fejuara e tij, kjo e fundit u qëllua për vdekje nga partneri i saj.
Berger tregoi se rrëmbimi zgjati pak orë, gjatë të cilave i ishte kërkuar një shumë e madhe parash. Nëse nuk do të jepte shumën e kërkuar ai do të vritej. Pengu u la i lirë me premtimin se do të sillte paratë, por ishte policia ajo që u paraqit në derën e apartamentit të rrëmbyesit.
E vetmja gjë që dihet për rrëmbyesin është mosha – 38 vjec dhe shtetësia gjermane. Ai ishte pjesë e lëvizjes “Toka e sheshtë”, mbështeste teoritë e komplotit dhe kishte marrë pjesë në manifestime No Vax.
/abcnews.al