Xhejms Harden i jep shpresë Hjustonit

schedule22:45 - 31 Mars, 2019

schedule 22:45 - 31 Mars, 2019

Xhejms Harden është shpresa e madhe e Hjustonit në basketbollin amerikan. Loja e shkëlqyer e kapitenit mund ta ndihmojë skuadrën nga Teksasi për të synuar titullin

Fjalët e mira për të, së fundi u thanë për një tjetër arsye.

Xhejms Harden po vlerësohej se për herë të parë, po ndihmonte siç duhet lojën në mbrojtje të Hjustonit, diçka që premtonte suksese në të ardhmen, por kapiteni nuk harroi as huqin e vjetër. Shënimi i 50 pikëve në fitoren ndaj Sakramentos treguan se ai mbetet po ai që ka qenë, kur vjen puna për lojën ofensive.

“Mjekra” realizoi një tjetër tripëll dabëll, të 42-ën në karrierë, me 11 topa në tabela e 10 pasime për kosh. Vetëm Rasëll Uestbruk dhe Lebron Xhejms kanë më shumë se ai, ndër lojtarët që luajnë ende në NBA.

Hardeni ishte vendimtar në suksesin 119-108, duke realizuar 10 pikë radhazi në fund. Me shtatë kosha të saktë për tri pikë, ai u bë i nënti lojtar në historinë e basketbollit amerikan që arrin në kuotën e 2 000 gjuajtjeve të tilla.

Jo vetëm kaq, por ai mban rekordin e NBA-së me pesë tripëll dabëlla me 50 pikë të shënuara, duke lënë pas Rasëll Uestbrukun. Për rekordet e Hardenit mund të flitet shumë, nivele që nuk janë parë në ligën amerikane që nga koha e Kobi Brajantit.

Falë tij, por edhe me mbështetjen e fortë të Kris Polit, Erik Gordonit apo Klint Kapelës, skuadra nga Teksasi mund të quhet një pretendent për titull këtë sezon, edhe pse ndodhet vetëm në vendin e tretë në Konferencën Perëndimore./abcnews.al