Juventusi fitoi falë talentit të ri Moize Kin

schedule20:12 - 31 Mars, 2019

schedule 20:12 - 31 Mars, 2019

Tifozët e Juventusit janë në festë për talentin e ri, Moize Kin. Adoleshenti shënoi një tjetër gol vendimtar, por trajneri Alegri e paralajmëron se duhet të përmirësohet për t’u bërë një kampion

Iu deshën vetëm tre minuta për të bërë diferencën. Tifozët juventinë janë që të gjithë në festë për yllin e ri të skuadrës, ndërsa Moize Kin shënoi golin e vetëm në ndeshjen e Serisë A ndaj Empolit.

Në mungesë të Kristiano Ronaldos së dëmtuar, dhe të Paulo Dibalës që ndjeu shqetësime gjatë nxehjes, kampionët e Italisë e patën të vështirë ndaj një kundërshtari modest, derisa trajneri Masimiliano Alegri vendosi të aktivizonte 19-vjeçarin. Shumëkush u habit se përse Alegri nuk e pati titullar Kinin, në mungesë të CR7-ës e Dibalës, por vetë trajneri tregoi situatën përpara ndeshjes.

Ai nuk ngurroi të paralajmëronte Kinin për të qenë modest dhe profesionist.

“Diferencën, në fund të fundit, do ta bëjë mendja, – tha trajneri juventin, – Kin ka cilësi të mëdha, por duhet ende të përmirësohet ndjeshëm. Kryesor nuk do të jetë talenti, por dëshira për t’u sakrifikuar. Kur erdhi tek ne, pas ndeshjes me kombëtaren, ishte aq i lodhur sa nuk dinte të orientohej, dhe kjo sepse ai është i ri dhe i shpenzon energjitë pa kujdes. Po ashtu u lodh sepse ishte në qendër të vëmendjes mediatike. Çështje psikologjike, ndaj vendosa ta lija fillimisht në stol”.

Mesa duket është një fat për Kinin që ndodhet në një klub si Juvja, dhe që ka një trajner si Alegri. E ardhmja e tij duket e madhe, kjo është e sigurt, siç e tregoi edhe në kombëtare kur shënoi dy gola në dy ndeshjet e fundit. Mediat për fat gjetën personazhin e ri.

“La Gazeta delo Sport”: As Mesi, as CR7-ta, por është Kini! Sërish ai, bomberi fëminor hyn dhe firmos një fitore të vështirë ndaj Empolit!

“Tutosport”: Kin Juve, Mendoj unë! Pas dy golave me kombëtaren, Moize hyn dhe mund edhe Empolin!

Juventusi, edhe pse me mundim, vazhdoi marshimin në Serinë A, me titullin e 8-të radhazi të hipotekuar. Piemontezët fitojnë edhe me mungesa, edhe pse suksesi nuk është I detyrueshëm për shkak të diferencës tepër të madhe me ndjekësit. Ky quhet mentalitet i vërtetë prej kampioni./abcnews.al