Shisnin kokainë tek klientët në Tiranë, ndalohen 5 persona

schedule17:37 - 30 Mars, 2019

schedule 17:37 - 30 Mars, 2019

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Stafeta”, duke vënë në pranga 5 persona që bashkëpunonin me njëri-tjetrin në shitjen e drogave të forta.

 Në pranga kanë rënë shtetasit me inicialet Gj. D., 36 vjeç, banues në Laç; M. P., 44 vjeç, banues në Mamurras; A. L., 25 vjeç, banues në Fushë Kuqe/Patok; A. N.,23 vjeç, banues në Fushë Kuqe/Patok dhe E. D., 28 vjeçe, banuese në Laç.

Në  bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, policia dyshoi se shtetasi Gj. D., me banim në Laç, në bashkëpunim me shtetasit M. P., A. L., A. N., dhe E. D., tregtonin dhe shisnin në kryeqytet me porosi klientele, lëndë narkotike të llojit kokainë, të cilin e sillnin nga qyteti i Laçit.

Këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e policisë duke qarkulluar me dy automjete në rrugën e “Valiasit” në Kamzë dhe janë ndaluar për kontroll. Gjatë kontrollit të ushtruar, policia gjeti në njërin mjet një qese me lëndë të dyshuar narkotike, e llojit kokainë.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 249.2 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë; dy automjete dhe gjashtë aparate celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprën penale te “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim”, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur.