Të armatosur për të mjekuar një fëmijë jo të vaksinuar

schedule11:30 - 30 Mars, 2019

schedule 11:30 - 30 Mars, 2019

Në Arizona të Shteteve të Bashkuara të Amerikës policia ka ndërhyrë me forcë në një banesë për të marrë një fëmijë 2-vjeçar në mënyrë që ta dërgonin në spital. Kjo pasi prindërit nuk pranonin të përballeshin me Departamentin e Shëndetësisë, meqenëse fëmija nuk ishte i vaksinuar.

Disa agjentë policie të armatosur kanë ndërhyrë me forcë në një shtëpi në Arizonë, duke u kërkuar banorëve të dilnin jashtë me duart lart. Forcat e rendit detyruan dy prindërit që të dorëzonin fëmijën e tyre, i cili kishte temperaturë shumë të lartë, por ata nuk pranonin ta çonin në spital.

Kjo sepse fëmija nuk ishte i vaksinuar dhe prindërit donin të shmangnin problemet me Departamentin e Shëndetësisë. Policia ka publikuar videon e ndërhyrjes duke shpjeguar se fëmija vetëm dy vjeç, vuante nga një sëmundje që mund t’i shkaktonte vdekjen. Para ndërhyrjes me forcë, agjentët e policisë ishin përpjekur disa herë të bindnin prindërit për ta dërguar në spital, por nuk ia kishin dalë.

Gjatë bashkëbisedimit me agjentët babai ifëmijës refuzonte të dorëzonte vogëlushin duke thënë se tashmë temperatura po zbriste dhe ai nuk kishte pse të paguante tre mijë dollarë për ta mjekuar në spital.

Aktualisht dhe fëmijët e tjerë të çiftit iu janë dorëzuar shërbimeve sociale, ndërsa nuk ka qenë të pakta kritikat ndaj policisë. Disa politikanë në Arizona pretendojnë se prindërit kanë të drejtë të vendosin për atë që është më e mirë për fëmijët e tyre.

Një raport i publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Dhjetor, për sa i përket rasteve të fruthit, thekson se kjo sëmundje është rritur me 30 për qind në të gjithë botën, një vit më parë, për shkak të mos vaksinimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!