Muaji i kaluar shënoi rritjen më të shpejtë të çmimeve në Shqipëri në së paku dy dekada, për shkak të rritjes së çmimeve në tregun ndërkombëtar si dhe krizës së gripit të shpendëve në tregun vendës. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se kostoja e përgjithshme e jetesës u rrit me 5.7%. Kjo është një rritje edhe më e lartë se sa kriza e inflacionit të vitit 2008.
Grupi kryesor i mallrave me rritje çmimesh janë mallrat e nevojës së përdishme, bukë, vaj, zarzavate dhe sheqer. Çmimi i vajit vegjetal është rritur me 22.4%, sipas INSTAT.
Shqiptarët konsumojnë kryesisht vaj luledielli ndërsa vajrat e tjerë si vaji i misrit apo i palmës nuk janë të preferuar Vaji i lulediellit i konsumuar nëpër botë vjen në një masë të konsiderueshme nga zona e Detit të Zi dhe eksportohet nga Rusia dhe Ukraina. Për shkak se Rusia ka vendosur bllokadë detare ndaj porteve të Ukrainës, kjo e fundit nuk është në gjendje të eksportojë rezervat e saj të mëdha në vaj dhe drithra për shkak se lidhjet e saj hekurudhore, të cilat mund të shërbejnë si alternativë ndaj porteve, nuk janë të mjaftueshme për të transportuar volumet e mëdha të transportuara më parë me det. Sipas Reuters, kjo ka ndihmuar indirekt Rusinë që të eksportojë vajin e saj të lulediellit me çmimin rekord prej 2150 dollarë për tonë.
Në Shqipëri, vaji i lulediellit kushton aktualisht rreth 320 lekë për litër nga 220-240 lekë që kushtonte para krizës.
Çmimi i bukës dhe i drithrave është rritur me 16% në mars të këtij viti në krahasim me marsin e vitit të kaluar, sipas INSTAT ndërsa mishi, qumështi dhe vezët janë shtrenjtuar me 10%. Në veçanti vezët u rritën nga 18 në 30 lekë për kokër pasi një grip pulash vrau rreth 10% të stokut të pulave në vend gjatë muajit mars.
Kostoja e transportit u rrit me 20% si pasojë e rritjes së çmimit të karburantit.
Ndryshe nga çmimet e mallrave të përditshme, çmimet e mallrave të tjerë kanë pësuar inflacion minimal. Mobiljet dhe pajimet e tjera shtëpiake pësuan rritje në masën 1.4% ndërsa veshjet dhe këpucët u shtrenjtuan në masën 1.5%. /BIRN