KQZ voton dhënien e mandatit të deputetit për 3 kandidatë të partive opozitare

schedule13:09 - 27 Mars, 2019

schedule 13:09 - 27 Mars, 2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka votuar ditën e mërkurë pro dhënies së mandatit të deputetit për tre kandidatë të dalë nga listat shumë-emërore të partive opozitare. Dy kandidatë të dalë nga lista e Partisë Demokratike dhe një nga ajo e Lëvizjes Socialiste për integrim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka votuar dhënien e mandatit për tre kandidatë të listave shumë-emërore të partive opozitare, pas djegies në bllok të mandateve.

Listës me 17 anëtarë të rinj të Kuvendit i shtohen kështu Adriatik Alimadhi, kryetar i Ballit Kombwtar, i dalw nga lista e Partisë Demokratike, i cili zëvendëson ish-deputetin Agrton Shehaj në Qarkun Vlorë; Arben Elezi edhe ky i listës së demokratëve i cili zëvendëson Edmond Spahon në Elbasan, ndërsa nga Lëvizja Socialiste për Integrim është Amra Borova ajo e cila vesh petkun e përfaqësueses për qarkun Shkodër, ku zëvendëson Agron Çelën.

Tre kandidatët e mandatuar nga KQZ pritet të betohen përpara Kuvendit gjatë seancës plenare të 28 marsit, duke çuar kështu në 98 numrin e deputetëve të parlamentit shqiptar.

Pas betimit, numri i deputetëve të dalë nga listat shumë-emërore të Partisë Demokratike shkon në 8, ndërsa ata të dalë nga kandidatët e LSI në 12. /abcnews.al