Trafikimi i qënieve njerëzore sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit në Mbretërinë e Bashkuar po njeh rritje. Vetëm vitin e shkuar 947 shqiptare janë trafikuar në këtë shtet për shfrytëzim seksual apo punë të detyruar.
947 shqiptare janë trafikuar për shfrytëzim seksual apo punë të detyruar në Britaninë e Madhe vitin e shkuar. Shifrat shqetësuese publikohen nga Agjencia Kombëtare e Krimit në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo ka identifikuar 6993 viktima të kombësive të ndryshme. Rreth 36% më shumë se në vitin 2017. Shqiptarët përbëjnë një prej grupeve më të mëdha pasi 13% e viktimave të identifikuara janë të kësaj kombësie. Ato shfrytëzohen për punë të detyruar, prostitucion ose aktivitet kriminal. Trafiku i qënieve njerëzore sipas drejtuesit të projektit në Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin Patrick Burland ka ardhur si pasojë e shërbimeve të kufizuara financiare, arsimore, punësimit, kujdesit shëndetësor si dhe mungesës së mundësive reale për të përmirësuar standardet e jetesës në vendet e tyre. IOM thotë se fenomeni është bërë pjesë e diskutimeve në Parlamentin e Britanisë së Madhe përmes raportit “Ndërmjet dy Zjarresh” hartuar nga kjo organizatë dhe Universiteti i Bedfordshire.
Titulli i studimit sipas kërkueses kryesore të tij Patricia Hynes lindi nga deklaratat e disa femrave shqiptare, të cilat kanë përshkruar se si kanë përfunduar në situatat e shfrytëzimit.Vendet e origjinës së këtyre viktimave theksohet në raport duhet të rrisin mekanizmat mbrojtës, duke mbështetur gratë dhe familjet e tyre, teksa përballen me diskriminimet e shoqërisë. Ndërkohë që më herët ka qenë Departamenti Amerikan i të Shtetit i cili qershorin e vitit 2108 në raportin për trafikimin e personave shprehet se qeveria shqiptare nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit.
Më pas, në Raportin e fundit të të Drejtave të Njeriut Shqipëria u kritikua për mungesën e zbatimit të ligjeve kundër trafikimit të qenieve njerëzore, duke vënë në dukje se vetëm një numër i vogël i autorëve të veprave penale janë ndjekur apo dënuar. Kritika të tjera u bënë kundër mungesës së zbatimit të ligjeve të hartuara për të mbrojtur gratë dhe vajzat nga dhuna dhe sulmet seksuale. /abcnews.al