Gjykata e Posaçme Anti-korrupsion dha ditën e enjte masën arrest me burg për ish-deputetin Alqi Bllako, pas kërkesës së bërë nga SPAK, duke autorizuar policinë për të bërë prangosjen e tij.
Vendimi është marrë nga GJKKO në orën 16.30. Policia ka marrë vendimin e zbardhur dhe më pas është nisur ta zbatojë.
Burime të Abc nga policia konfirmojnë se Bllako nuk është gjetur në disa nga adresat e dhëna. Ndërkohë Bllako nuk është paraqitur as në Kuvend personalisht për të dorëzuar mandatin.
Paksa provokues duket edhe një story i mëvonshëm i avokatit të tij.
Kujtojmë që ish-deputeti Alqi Bllako deklaroi para dorëzimit të mandatit se do të përballej me drejtësinë, por deri në orën e përgatitjes së këtij lajmi ai nuk është paraqitur as vetë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.