Aplikacioni “Tirana ime” vjen me të tjera risi për qytetarët. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj tregoi se banorët e kryeqytetit do të kenë mundësi të marrin informacion për cilësinë e ajrit përmes telefonit.
Cilësinë e ajrit në kryeqytet qytetarët do të kenë mundësi ta monitorojnë në kohë reale përmes aplikacionit “Tirana ime”. Kryebashkiaku Erion Veliaj tregoi se matës inteligjentë janë vendosur në qytet. Të parët që do të testohen janë ato në zonën e Kasharit, tek “21 Dhjetori”, rruga e “Elbasanit” dhe te Sheshi “Skënderbej”.
“Një nga gjërat që dua të vlerësoj jashtë mase është se kemi marrë teknologjinë më të fundit, që nuk ka tjetër në rajon. Sot planifikojmë lançimin e aplikacionit që mat ndotjen e ajrit në Tiranë në kohë reale, në mënyrë që çdo qytetar, ashtu siç ka akses te kamerat e qytetit, raportimet, trafiku, të ketë akses edhe në këtë informacion. Vendimmarrja për të gjithë ne bëhet më e lehtë nëse të vërtetën e dimë të gjithë”.
Për të ulur nivelin e ndotjes në kryeqytet kryebashkiaku tha se po synon që flotën e taksive ta ktheje ne 100% elektrike ose hibride. Ndryshime pritet të pësoje dhe transporti publik.
“Propozimi i parë është që datat 5 maj dhe 1 qershor, pra Ditën e Dëshmorëve dhe Ditën e Fëmijëve, ta bëjmë ditë pa makina. Janë data të shënuara, por janë edhe sebepe për të pasur një ditë pa makina kushtuar këmbësorëve. Përveç 2 milion pemëve, kemi vendosur si target që 100% e taksive të jenë elektrike ose hibride brenda vitit 2025. Në fakt, mbi gjysma e taksive që operojnë sot në Tiranë janë elektrike ose hibride. Ndaj, besoj se do ta kapim targetin e OBSH-së shumë më herët. 100% e autobusëve do të jenë elektrik brenda vitit 2030, një operacion që e fillojmë tani dhe kemi 11 vite kohë ta realizojmë”.
Ndërkohë Veliaj shprehu nevojën që të paktën një ditë në muaj në Tiranë të jetë tërësisht pa makina./abcnews.al