Në Gjirokastër është ndërprerë transporti ndërqytetas për shkak se drejtuesit e linjave po protestojnë kundër konkurencës së pandershme. Ata thonë se po falimentojnë, pasi në linja janë futur firma pirate.
Shoqëritë e transportit në Gjirokastër ndërprenë shërbimin dhe dolen në protestë mëngjesin e kësaj të marte. Sipas tyre konkurenca e pandershme po i çon drejt falimentimit.
“Konkurencë e pandershme kjo është. Vjen ai nga Dropulli na merr pasagjerë dhe ikën. S’ka të drejtë të qëndrojë. Është njësoj sikur të qëndroj unë në Durrës dhe t’i çoj pasagjerët në Tiranë”.
Por gjatë protestës pati dhe përplasje fizike midis përfaqësuesve të linjave te ndryshme. Pas incidentit policia shoqëeroi 4 persona.
Drejtuesit e linjave shprehen se nuk kanë asnjë lloj mbështetjeje nga institucionet përkatëse. Sipas tyre ka shumë më tepër automjete të licensuara, se sa janë të nevojshme.
“Nuk ka pse të punojë Dropulli dhe Libohova me Tiranën, kur bashkia e madhe është Gjirokastra”.
“Ku është ligji të na mbrojë?”
Ata paralajmërojnë se do të vijojnë paralizimin e shërbimeve, nëse nuk do ketë ndërhyrje nga ana e shtetit. Protesta e tyre mund të përshkallëzohet deri në bllokimin e rrugës nacionale apo dhe djegien në mënyrë demonstrative të automjeteve të tyre. Për më tepër, sipas drejtuesve të këtyre linjave, dhënia e licensave pa kriter nga Ministria e Transporteve dhe nga bashkitë përkatëse ka acaruar konfliktin. /abcnews.al