Shqipëria nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 me Gjeorgjinë në miqësoren e zhvilluar në “Air Albania”.
Pas kësaj ndeshje për “fshf.org” ka folur edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, i cili është shprehur se në këtë takim kuqezinjtë dhanë maksimumin, por mungonin rastet në metrat e fundit.
“Dhamë gjithçka në fushë, por mungonin rastet në 20-25 metrat e fundit. Kishim 2-3 raste, por nuk mjaftojnë ndaj skuadrave si Gjeorgjia që mbrojnë shumë mirë dhe janë një skuadër fizike që vrapon shumë.
Duhet të punojmë më shumë për të gjetur golin. Grupi po afrohet edhe më shumë, po kuptohemi gjithnjë e më mirë me njëri-tjetrin. Ishte e dukshme në këto dy ndeshje që zhvilluam në miqësore që ekipi po avancon dhe po përmirësohet, por sërish nuk mjafton dhe do të punojmë që të arrijmë sa më shumë suksese”.
“Me Spanjën ishte ndeshje më e mirë, ishim shumë pranë një ndeshjeje historike, por në fund pësuam golin sepse ishim kundër Spanjës, por edhe me Gjeorgjinë ishte shumë e rëndësishme. Nuk ia dolëm dot”, shtoi qendërmbrojtësi.
“Shpresoj dhe dëshiroj që të kemi sa më shumë sukses në muajt që do të vijnë. Kemi një grup lojtarësh shumë të fortë dhe të rinj, të cilët janë duke u rritur dhe janë duke aktivizuar me klubet e tyre dhe kjo ka shumë rëndësi. janë lojtarë me cilësi, i kemi parë në stërvitje dhe mund të na ndihmojnë”, u shpreh Gjimshiti. /f.a/abcnews.al