Vetëvrasja e familjes zvicerane, teoritë e komplotit dhe furnizimet me ushqime

schedule14:40 - 30 Mars, 2022

schedule 14:40 - 30 Mars, 2022

Familja e cila pak ditë më parë u vetëvra në Zvicër, duke u hedhur nga ballkoni i apartamentit të tyre në kat të shtatë, ishte e fiksuar pas teorive të komplotit. Ata kishin frikë nga çdo kontakt i jashtëm dhe në shtëpinë e tyre kishin furnizime të shumta me ushqime dhe ujë. Lajmi është konfirmuar nga policia e cila po heton fatin tragjik të babait, nënës, dy fëmijëve të moshës 15 dhe 8 vjeç, si dhe tezes së tyre; motrës binjake të mamasë. Nga e gjithë bërthama familjare vetëm djali 15 vjeçar është i shtruar në spital në gjendje kome.

Hetimet kanë përjashtuar mundësinë se persona të tretë mund të kenë pasur rol në ngjarje dhe e klasifikuan episodin si një vetëvrasje kolektive. Në apartamentin e familjes me pamje nga liqeni i Gjenevë, në një lagje të pasur, nuk u gjet asnjë gjurmë apo e dhënë që vërtetonin praninë e personave të huaj. Në ballkon u gjet një shkallë e vogël. Anëtarët e familjes janë hedhur nga kati i shtatë njëri pas tjetrit në një hark kohor prej pesë minutash. Familja ishte me origjinë nga Franca, dhe ishte transferuar në Zvicër në vitin 2016. Vajza e vogël nuk ishte regjistruar si banore në vend.; Ajo dhe nëna e saj rezultonin si të transferuara në Marok prej disa vitesh.

Pjesa më e madhe e shtëpisë ishte plot me furnizime ushqimore, as prindërit dhe as fëmijët nuk kishin kontakte me jashtë. Sipas dëshmive, situata e tyre ishte rënduar dhe më shumë nga pandemia. Babai ishte i fiksuar pas ideve konspirative, besonte se e kontrollonin. Në orën 7 të mëngjesit, ditën e tragjedisë, policia trokiti në derë për të njoftuar prindërit se autoritetet shkollore kërkonin shpjegime se pse 15 vjeçari nuk shkonte në shkollë prej muajsh. Nga brenda u dëgjua një zë, por askush nuk e hapi derën. Agjentët u larguan dhe pak minuta më vonë, fqinjët panë të binin nga ballkoni njëri pas tjetrit të gjithë anëtarët e familjes.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!