Dëshmitari në Hagë: Me Salih Mustafën kam biseduar vetëm për ndihma humanitare

schedule14:27 - 29 Mars, 2022

schedule 14:27 - 29 Mars, 2022

Jakup Ismaili, dëshmitari i tretë i mbrojtjes së Salih Mustafës, ka treguar para trupit gjykues në Hagë për periudhën kur është takuar më Mustafën në fundin e marsin dhe fillimin e prillit të vitit 1999.

Ismaili ka thënë se me Salih Mustafën kanë biseduar rreth planeve për të furnizuar me ndihma humanitare civilët shqiptarë.

Ai ishte pjesë e Këshillit të Emergjencave, organizatë kjo që merrej me ndihma humanitare por sipas tij me fillimin e bombardimeve këshilli ka dalë jashtë funksionit.

Më tej Ismaili, i cili ka deklaruar se në UÇK ka shërbyer si pjesë e njësisë BIA, ka thënë se me fillimin e bombardimeve të NATO-s ai, bashkë me popullin civil ishte shpërngulur nga vendbanimi i tij në Prishtinë për në fshatrat përreth.

“Forcat ushtarake policore paramilitare e kanë bërë dëbimin e popullatës dhe për shkak të represionit dhe dhunës popullata u detyrua të shpërngulet nga Kosova, për në Maqedoni dhe pjesë të fshatrave të rrethinës së Prishtinës. Gjithë aktiviteti i Këshillit të Emergjencës ra poshtë, nuk ka qenë e mundshme me funksionu. Ne u detyruam, popullata bashkë me ne, gradualisht të bëjmë plane me u shpërngulë nga Prishtina. Ne aktivistët të shpërngulemi në pjesë të fshatrave, e popullata të shpërngulet në Maqedoni e fshatra të ndryshme. Ashtu u bë dëbimi, dëbimi u bë me dhunë”, ka thënë dëshmitari.

Sipas tij, largimi nga Prishtina ka ndodhur më në mes të 24 dhe 25 marsit të vitit 1999.

Ai ka theksuar se ka vazhduar për në Hajvali e pastaj në fshatin Mramor ku sipas tij ka synuar të gjejë një organizim të ri për shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Pas fshatit Mramor, Ismaili ka deklaruar që bashkë me Sabit Krasniqin ka shkuar në Butovc. Aty ka thënë se është takuar me Salih Mustafën.

Sipas tij, takimi i parë ka qenë në fund të muajit mars por që nuk ka pasur komunikim të drejtpërdrejt me të.

“Takimi i parë (me Mustafën) ka ndodhur në Butovc, jo të shtëpia e Mutafë Sopit, ka ndodhur të familjari i Sabit Krasniqit, ka qenë mjek. Unë personalisht aty nuk kam pasur kontakt direkt personal ,por udhëzimet për me shku të këshilli i emergjencës dhe ku janë të vendosur personat Këshillit të Emergjencës të Mustafë Sopi në Butovc janë marrë nga Salih Mustafa. Unë direkt nuk kam pasur kontakt në atë moment, por ka qenë aty”, ka thënë dëshmitari.

Sipas tij nga Mustafa kanë marrë udhëzime për takimin me këshillin tjetër të emergjencave që ndodhej në pjesën tjetër të Butovcit në shtëpinë e Mustafë Sopit.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!