Nga Edi Oga
Për herë të parë pas një muaji e më tepër, dje lajmet nga lufta në Ukrainë dolën në plan të dytë.
Portalet e lajmeve ia dedikuan ballinat e tyre një gjesti të pandodhur më parë e pikërisht në skenën e programit televiziv më të njohur në Botë; një shpullë që një superstar i flakariti një tjetër superstari gjatë ceremonisë së dhënies së çmimeve “Oscar”!
Will Smith goditi moderatorin Chris Rock pas një shakaje që kishte të bënte me shëndetin e gruas së tij. E inskenuar apo jo, kjo ngjarje pati efektin e një “bombe bërthamore”!
E mira e saj, është që njerëzia e lodhur nga lajmet e luftës, e hoqi mendjen nga ato për një ditë.
E keqja e kësaj ngjarje të pazakontë mediatike, është se në bazë të saj ka përsëri dhunën, pavarësisht se të një forme tjetër. Të etur për t’u marrë me diçka të re, rrjetet sociale zjenë nga memet dhe komentet me qëndrime pro apo kundër.
Kjo është nga ato ngjarje që nuk zgjat tre ditë. Jemi të detyruar të kthehemi aty ku e lamë; te lajmet me luftë nga Ukraina dhe tek lufta “pa lajme” që bëjmë në këtë vendin tonë.
Meqë ra fjala, sot protestohet kundër rritjes së çmimeve. /abcnews.al