Qeveria e Zelandës së Re ndalon armët e tipit ushtarak

schedule21:28 - 21 Mars, 2019

schedule 21:28 - 21 Mars, 2019

Disa ditë pas masakrës së dyfishtë në qytetin Christchurch, ku humbën jetën 50 persona, qeveria e Zelandës së Re ka ndaluar posedimin e armëve të stilit ushtarak dhe atyre gjysmë automatike. Për kryeministren e vendit, ngjarja e javës së kaluar nuk duhet të përsëritet.

Zelanda e Re do të ndalojë të gjitha llojet e armëve gjysmë automatike dhe ato të tipit ushtarak pas sulmeve terroriste në kryeqytetin Christchurch. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministrja Jasinda Ardern, kur ka kaluar më pak se një javë nga vrasja e 50 personave në dy xhami nga një person i vetëm. Zonja Ardern deklaroi se pret që legjislacioni i ri të hyjë në fuqi më 11 Prill.

“Ajo që ndodhi ndryshoi përgjithmonë historinë tonë. Tani, edhe ligjet tona do të ndryshojnë”, deklaroi kryeministrja.

Ajo nënvizoi se edhe ato pjesë këmbimi që shërbejnë për t’i bërë armët automatike do të ndalohen, bashkë me karikatorët që mbajnë shumë plumba. Paralelisht është shpallur një amnesti në mënyrë që pronarët e armëve të këtij lloji t’i dorëzojnë ato dhe më pas do të përfitojnë nga një skemë rimbursimi.

“Veprimet tona, për llogari të qytetarëve tanë, kanë si qëllim garantimin se ngjarje të tilla nuk do të përsëriten”, deklaroi Ardern.

Autori i sulmit të dyfishtë, i pajisur me pushkë gjysmë automatike, mendohet t’i ketë modifikuar ato me karikatorë të kapaciteteve të mëdha, në mënyrë që të mbanin më shumë plumba dhe që të qëllonte sa më shumë me breshëri. Që këtë të enjte, në Zelandën e Re armë të llojeve të ndryshme janë klasifikuar si armë të tipit ushtarak dhe gjysmë automatike, duke u bërë shumë të vështira për t’u blerë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!