Nga Erblina Mile
Çmimi i vezës është rritur përsëri brenda pak ditëve. Një kokërr vezë pularie është shtrenjtuar me 30-40 lekë të vjetra ndërsa vezët e fshatit kanë pësuar një rritje me rreth 100 lekë të vjetra për kokërr.
Shkak kryesor është përgjysmimi i prodhimit ditor për shkak të ngordhjes masive të pulave por edhe si rezultat i krizës së çmimeve që ka përfshirë vendin. Operatorët por edhe ekspertët veteriner theksojnë se prodhimi ditor i vezëve ka rënë me rreth 50% brenda dy javëve.
Qytetarët theksojnë se brenda pak ditëve janë përballur me çmime më të rritura të vezëve. Pavarësisht se autoritetet dhe ekspertët veterinerë kanë deklaruar se konsumimi i pulave dhe i vezëve nuk ka asnjë rrezik për shëndetin e qytetarëve shumë prej tyre nuk i kanë konsumuar këto produkte këto kohë.
Gripi i shpendëve po njeh përhapje të gjerë gjatë ditëve të fundit në vend çka do të ndikoj në uljen e mëtejshme të prodhimit të vezëve për shkak të ngordhjes së pulave, çka paralajmëron një tjetër shtrenjtim të vezëve në ditët në vijim. /abcnews.al