Rreth 25,000 ukrainas kanë mbërritur në Spanjë që kur Rusia nisi pushtimin e vendit më 24 shkurt, megjithëse vetëm 9,000 prej tyre janë regjistruar nga autoritetet deri më tani, tha sot ministri spanjoll i imigracionit, Jose Luis Eskriva.
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) vlerëson se rreth 3.5 milionë ukrainas janë larguar nga vendi, ndërsa më shumë se dy milionë kanë ikur në Poloninë fqinje.
Rumania, Hungaria dhe Sllovakia gjithashtu strehojnë një numër të madh refugjatësh. Në Spanjë, e cila është larg konfliktit, shumë nga ukrainasit që kanë mbërritur atje jetojnë me të afërm apo miq dhe nuk i kanë informuar ende autoritetet, tha Eskriva.
“Ne kemi zgjatur lejen e qëndrimit për të përfshirë të gjithë njerëzit që jetonin në Ukrainë në kohën e pushtimit, jo vetëm ukrainasit,” tha ai për rrjetin publik spanjoll të lajmeve TVE.
Eskriva tha se ai pret që rreth 9,000 refugjatë të tjerë të regjistrohen në autoritetet spanjolle këtë javë dhe të marrin mbrojtje të përkohshme të BE-së që do t’i lejojë ata të marrin leje të menjëhershme qëndrimi dhe pune në vend. Ukrainasit janë të lirë të hyjnë në BE pa vizë, por kanë nevojë për një leje qëndrimi për të qëndruar. /abcnews.al