Letërsia shqipe do të jetë e pranishme në Panairin e Librit në Lajpcig nga data 21 deri 24 Mars, nëpërmjet 2 shkrimtarëve të rinj dhe 2 përkthyesve. Drejtorja e politikave te librit në Ministrinë e Kulturës Mimoza Hysa thotë se letërsia shqipe prezantohet edhe me katalogun e 9 shkrimtarëve të tjerë të rëndësishëm.
Juria ndërkombëtare e panairit të Lajpcigut ka përzgjedhur nga 5 propozimet e Ministrisë së Kulturës dy shkrimtarët e rinj Lisander Kola dhe Saimir Muzhakën. Drejtorja e politikave te librit Mimoza Hysa thotë se kriteri moshë ka qenë i përcaktuar prej organizatorëve nga mosha 35-40 vjeç me qellim dhënia prioritet shkrimtarëve të rinj.
Rrjeti TRADUKI ka ftuar në rezidencë përkthyeset në Berlin: Lindita Arapi dhe Ana Kove. Hysi thotë se stenda shqiptare i është dedikuar përkthimit, pasi kjo është edhe tema kryesore e panairit.
Por krahas prezencës së autorëve , ministria do të paraqes në stendën e saj edhe me katalogun në anglisht me veprat dhe autorët që kanë fituar çmimet më të rëndësishme të vitit 2018. Për herë të parë në katalogun e autorëve janë përfshirë edhe dy përkthyeset më të suksesshme të vitit për përkthimet nga gjuha shqipe.
Nga data 21 deri 24 Mars ne panairin e Lajpcigut do të mbahet një program i pasur takimesh të organizuara në stendën e Ministrisë së Kulturës, në stendën e rrjetit TRADUKI si dhe në hapësira të tjera të panairit dhe jashtë tij./abcnews.al