Rodolfo Vanoli do të bëjë debutimin e tij me Dinamon në derbin kundër Tiranës, takim që do të luhet ditën e nesëeme në “Elbasan Arena” ora 16:45.
Një sfidë shumë e rëndësishme kjo për blutë të cilët do të kërkojnë edhe pikët e mbijetesës, tashme me Vanolin në krye, i cili doli edhe në konferencën për shtyp për të folur për përballjen me bardheblutë e Orges Shehit.
Tekniku italian theksoi se skuadra e tij nuk do të jetë aspak inferiore në këtë përballe, por nënvizoi se vetëm në 3 ditë nuk mund të ndryshosh shumë në skuadër.
“Situata duket shumë e mirë, kam gjetur një grup djemsh me shumë dëshirë për ta ndryshuar këtë tendencë negative sa u përket rezultateve. Kam shumë besim, mjafton t’i shohësh në sy futbollistët për të kuptuar që duan të ndryshojnë gjithçka.”
Dinamo shënon pak dhe pëson shumë: “Sigurisht që problemi ka qenë këtu dhe nuk mund të ndryshosh botën për tri ditë, me disa rregullime teknika dhe taktike dhe me pak besim jemi të bindur se mund të ndryshojmë.”
Debutimi në derbi: “Për mua është diçka e mirë që luajmë në derbi. Kam shumë respekt për Tiranën, është skuadra që ka sulmin më të mirë, mbrojtje të fortë dhe një trajner shumë të mirë. E kemi analizuar kundërshtarin dhe e dimë ç’vështirësi në pret. Në karrierën time kam pasur shumë ndeshje të rëndësishme derbi. Këto ndeshje derbi duhen luajtur dhe fituar. Nuk ka rëndësi sesi do të jetë ndeshja, duhet të marrim tri pikët. E dimë që janë të fortë, por djemtë e mi nuk do të jenë inferiorë.”
Pa frikë ndaj Tiranës: “Objektivi ynë është mbijetesa, duhet të jemi shumë të kujdesshëm në të dyja fazat e lojës, të mbrohemi mire, por edhe të dalim përpara për të shënuar. Duhet të luajmë me shumë qetësi në këtë derbi, të përulur dhe me respekt, por e përsëris, me respekt, jo me frikë. Nuk duhet të harrojmë që kemi edhe shumë ndeshje të tjera për të zhvilluar deri në fund të kampionatit. Nuk shkojmë në derbi për pushime, por për të marrë rezultat”. /f.a/abcnews.al