Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka takuar krerët e degëve të Partisë Demokratike për të diskutuar lidhur me vijimin e aksionit opozitar, dy ditë pas përfundimit të protestës së fundit të thirrur nga opozita e bashkuar, atë të 16 Marsit.
“Tre orë ka zgjatur mbledhja e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me kolegjin e kryetarëve, në përfundim të së cilës, mungesa e një date specifike për protestën e radhës identifikohet edhe si tipari surprizë i aksionit opozitar. Vijueshmërinë e këtij të fundit përmes protestave e konfirmoi vetë kreu i Partisë Demokratike”.
“Vendimi kryesisë është në fuqi. Këto janë takime organizative. Protestat do të vazhdojnë dhe do të fuqizohen nga dita në ditë dhe nga java në javë, derisa të realizojmë atë që do çdo shqiptar, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një qeveri nga populli, për popullin dhe të popullit”, tha Basha.
Vendosja në Konferencën e Kryetarëve për zhvillimin e seancës së radhës parlamentare për ditën e enjte, dhe deklarata e kreut të opozitës Basha pas takimit me krerët e degëve, organ statutor këshillues i kreut të partisë, lë të hapur një front të mundshëm proteste përpara godinës së seancave plenare.
Këtë praktikë ka përdorur opozita në tre seancat e fundit parlamentare, dy prej të cilave u karakterizuan nga revoltimi i protestuesve, ndërsa ajo e fundit nga simbolika e përdorur nga kjo forcë politike në kundërshtimin që i bën legjitimitetit të qeverisë, por edhe opozitës së re parlamentare./abcnews.al