Inagurimi i stadiumit “Kukës Arena” është çështje ditësh. Duka: Vepër fantastike!

schedule16:48 - 18 Mars, 2022

schedule 16:48 - 18 Mars, 2022

Inagurimi i stadiumit “Kukës Arena” është çështje ditësh, me skuadrën verilindore që me shumë mundësi në fillim të prillit do të kthehet në shtëpinë e saj për të zhvilluara edhe ndeshjet e mbetura të kampionatit shqiptarë.

“Kukës Arena” një impiant modern i cili do t’i shtohet kështu futbollit shqiptarë, teksa është një investim 50% i FSHF-së dhe 50% nga Qeveria shqiptare.

Stadiumin e kanë vizituar sot Presidenti i FSHF-së, Armand Duka së bashku me Kryetarin e Bashkisë Kukës, Safet Gjici, dhe anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj, të cilët kanë inspektuar punimet dhe janë shprehur mjaft të kënaqur me standardet që ky impiant do të ofrojë për futbollin. Duke folur për median, Presidenti i FSHF-së theksoi se kemi të bëjmë me një vepër fantastike të ndërtuar në një periudhë të vështirë pandemie e që plotëson të gjitha nevojat për të pritur ndeshje te rëndësishme të nivelit ndërkombëtar.

“Për mua kompania dhe bashkia në bashkëpunim me të gjithë kanë sfiduar kohën. Jetojmë në kohë të vështira, në kohë pandemie dhe kemi realizuar një vepër fantastike, që do të ishte e denjë për çdo qytet europian, jo vetëm në Kukës, për çdo lloj skuadre, me një kapacitet modest, por që i përgjigjet nevojave të Kukësit me të gjithë ambientet, më shumë se sa të domosdoshme do të thoja, për skuadrat. Kushte fantastike për mediat, për spektatorët, ky është një objekt për t’u surprizuar që mund ta gjesh në këtë Shqipëri apo në Kukës”, theksoi Presidenti Duka,

“Projektet tona në Kukës nuk përfundojnë këtu, vazhdojnë me fushën pas stadiumit që e kemi kontraktuar tashmë, puna vazhdon dhe besoj që do të përfundojë muajin e ardhshëm bashkë me tapeti artificial dhe do të vazhdojmë me ndërtimin e një apo dy fushave me bar natyral. Besoj se me këto investime kemi siguruar të ardhmen e futbollit për të paktën 10 vitet e ardhshme në Kukës. Në stadiumi çdo gjë është gati, të gjithë sistemet, pajisjet, çdo gjë perfekt bashkë ma parkimin. E vetmja gjë që pritet është fusha, që për arsye të temperaturave shumë të ulëta që kanë qenë kohët e fundit në Kukës nuk e kanë lënë që të zhvillohen rrënjët e barit. Pritet që temperaturat të rriten dhe besoj që në 10 ditë të jetë gati për t’u inauguruar”, – deklaroi Presidenti i FSHF-së.

“Realisht këto vepra tregojnë që Presidenti dhe FSHF padiskutim që kanë mirënjohjen e popullit të Kukësit, por padiskutim që ka mirënjohjen e jashtëzakonshme Kryeministri Rama bashkë me qeverinë e tij, sepse ka qenë fjala e dhënë dhe e mbajtur për të bashkë financuar 50% me 50% me FSHF-në dhe u realizua pra kjo vepër që për ne, për çdo kuksian ishte një ëndërr realizimi një stadiumi me këto standarde, që sot patëm nderin ta inspektojmë me Presidentin e FSHF-së. Besoj që ky stadium i plotëson të gjitha standardet e UEFA-s për të luajtur jo vetëm ndeshjet e kampionatit shqiptar, por edhe ndeshjet e kupave të Europës, kudo që Kukësi të marrë pjesë, por edhe ekipet kombëtare të moshave”,  deklaroi kryebashkiaku Gjici, i cili është njëkohësisht edhe Presidenti nderi i klubit të Kukësit. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!