Kryeministri Rama inspekton investimet e qeverisë në Berat

schedule19:16 - 17 Mars, 2019

schedule 19:16 - 17 Mars, 2019

Kryeministri Rama ka kryer disa inspektime në qarkun e Beratit, ku investimet e qeverisë në qytet, por edhe fshat, synojnë zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.

Punimet  e kryera në rrugën “Mihal Komneno” segmenti më i shkurtër për të shkuar në lagjen “Kala” të Beratit u inspektuan nga Kryeministri Edi Rama.

 “Është një nga ndërhyrjet më cilësore, sepse është rikthyer komplet identiteti i zonës. Prekjet kanë qenë, jo vetëm në pjesën e nëndheshme, të gjitha kanalizimet, por edhe sistemimet e fasadave, të kalldrëmeve, e gjithë pjesa e ndriçimit, pra të gjitha kanë qenë pjesë e projektit, deri edhe elementët e vegjël arkitektonikë. Këto janë ndërhyrje të cilat vazhdojnë deri sipër, në pjesën e kalasë”.

Pronarët e shtëpive muze që dëshirojnë t’i kthejnë në bujtina në shërbim të turizmit tha Kryeministri do të mbështeten nga qeveria.

“Një program financimi ku t’iu jepet akses atyre që marrin këto iniciativa dhe t’iu lehtësohet nga pikëpamja e financimit i gjithë procesi. Mund të jenë fonde grant, mund të jenë fonde me kredi me interesa shumë të ulëta”.

Fonde nga buxheti i shtetit sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë janë lëvruar dhe për të eleminuar përmbytjet e tokave në fshatin Rreth Tapi shkaktuar nga lumi Osum.

“Kjo është mbrojtja lumore për këtë fshat që ka disa vite që vuan përmbytjen nga lumi. Nëse ne bëmë më parë mbrojtjen lumore në Urën Vajgurore, duke shpëtuar të gjitha ato shtëpi atje që përmbyteshin çdo vit, tani ka ardhur radha që ne të shpëtojmë të gjithë tokat edhe serat që fshatarët kanë këtu. Është një premtim i mbajtur në kohë të shkurtër, kështu që për këtë fshat është lajm i mirë”.

Një lajm të mirë kryeministria jep dhe per edhe për fermerët në Mbrakull të Poliçanit. 230 janë familje te zones do te kene mundesi te mbjellin tokat e tyre pas investimit prej 30 milion lekesh realizuar ne kanalin vadites.

Kryetari i Bashkisë Poliçan, Adratik Zotkaj: “Një investim i munguar prej 30 vjetësh. Të gjitha këto fusha, të gjithë këto toka deri dje ishin të thata. Sot është bërë e mundur që të marrin shërbim rreth 230 fermerë. 30 vjet kjo tokë që shihni sot të gjelbëruar ka qenë e thatë. Kjo ka bërë edhe që të gjithë familjet e fshatit Mbrakull të merrnin rrugët e kurbetit”.

Kreu i bashkisë së Poliçanit shoqëroi kreun e qeverisë edhe në kantierin e ndërtimit të ujësjellësit të ri për qytetin e Poliçanit.

“Me një investim prej 80 milionë lekësh të reja ne do të bëjmë të mundur furnizimin e 10 mijë banorëve…Me këtë investim, ne mbyllim të gjithë gangrenën e madhe që ka qënë edhe kërkesa kryesore për sa iu përket investimeve në qytetin e Poliçanit. Falë këtij premtimi të përmbushur u bë e mundur që qytetarët tanë të kenë ujë 24 orë”.

Ndërkohë 54 milionë lekë janë investuar në shkollën “Refat Keli”.  Ndërsa në Peshtan të Beratit kryeministri Rama u njoh me transformimin e një kantine vere të kthyer në bujtinë me mbështetjen financiare të qeverisë. /abcnews.al