Ukraina është në javën e tretë të përballjes së sulmit rus, që nga 24 shkurti, kur Vladimir Putin urdhëroi futjen e forcave ushtarake në vend.
Një banor i një fshati në veri të Kievit i tha CNN se si është jeta mes forcave kundërshtare ruse dhe ukrainase të përfshira në sulme të rënda kundër njëri-tjetrit.
Vitaly Kryshtal tha se fshati i tij Nemeshaevo, rreth 20 milje në veri-perëndim të Kievit, ishte “tani mes dy zjarreve”. Mijëra njerëz mbetën të bllokuar në zonë, dhe ka trupa kundërshtare nga të dyja anët.
“Shpërthimet tingëllojnë pa pushim, çdo dy ose tre minuta. Shpesh predha fluturojnë në oborret e njerëzve,” tha Kryshtal. Njerëzit mund të largohen nga strehimoret vetëm për disa minuta në ditë.
“Një ditë kohët e fundit u duk se të shtënat u ndalën për 15 minuta dhe unë mund të dilja jashtë për të gatuar në zjarr,” tha ai. “Por sapo dola, filloi një shkëmbim zjarri i ri, më duhej të ikja përsëri në bodrumin tim”, shton ai.
Kryshtal tha se njerëzit duhej të mbështeteshin në recetat e vjetra për ruajtjen e ushqimit. Ai përdorte recetat e gjyshes së tij për të qëndruar gjallë, sepse gatimi i ushqimit jashtë ishte bërë i pamundur. Rreth 1200 njerëz u evakuuan nga zona më 12 mars, por mijëra të tjerë janë ende aty. g.v/abcnews.al