Elita intelektuale po braktis me shpejtësi Rusinë e Putinit, qindra mijëra të larguar në 2 javë

schedule09:28 - 16 Mars, 2022

schedule 09:28 - 16 Mars, 2022

Nga Mikhail Viktorovich Zygar “Der Spiegel

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Nuk dihet me saktësi se sa njerëz janë larguar nga Rusia gjatë 2 javëve të fundit, por për një gjë nuk ka dyshim:po flasim për qindra mijëra njerëz. Ky është ndoshta eksodi më pak i dukshëm në histori. Ndërsa e gjithë bota po sheh me tmerr luftën në Ukrainë, në Rusi ka filluar një eksod masiv i gazetarëve, artistëve, aktorëve dhe ekspertëve të teknologjisë.

Sipas vlerësimeve të përafërta nga autoritetet gjeorgjiane, 20.000-25.000 rusë janë zhvendosur në Tbilisi që nga fillimi i luftës. Tbilisi ka qenë gjithnjë një qytet i njohur nga rusët për ushqimin e shijshëm, verën e mirë dhe njerëzit mikpritës. Por tani aty ka shumë rusë.

Fluksi i emigrantëve po shqetëson shumë njerëz në Gjeorgji. Disa banorë në Tbilisi kanë filluar të mbledhin firmat për një peticion, për të vendosur kritere për vizat që jepen për qytetarët rusë. Edhe sjellja e autoriteteve ka qenë kontradiktore:Nga njëra anë, Gjeorgjia ka paraqitur një kërkesë zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por nga ana tjetër, të paktën dy gazetarë të famshëm rusë, të cilët kanë protestuar kundër luftës në Ukrainë, dhe e kanë kritikuar prej kohësh Putinin, u refuzuan kur u përpoqën të hynin në këtë vend. Gjeorgjia është vendi ku ka përfunduar pjesa më e madhe e valës së fundit të emigrantëve rusë, dhe shumë prej tyre e kuptojnë se ai nuk është vendi më i sigurt për ta.

Largimi i shtresës së mesme ruse nga atdheu, që nisi të dielën e 27 shkurtit, është nxitur gjithnjë e më shumë nga paniku. Ajo ishte data kur shumica e vendeve evropiane mbyllën hapësirën e tyre ajrore për avionët rusë. Shumë rusë menduan se kufijtë do të mbylleshin së shpejti, dhe se nuk do të kishte më asnjë rrugëdalje.

Rezultati ishte një rritje me gati 10-fish e çmimeve të biletave nga Moska në Stamboll, Dubai, Jerevan, Baku, Bishkek dhe madje edhe Ulanbataar, kryeqytetin e Mongolisë. Intelektualët rusë u larguan në të gjitha drejtimet, duke ndjekur rrugë nga më të çuditshmet.

Në fakt, frika nga kufijtë e mbyllur mbetet një nga fobitë më të vazhdueshme të të gjithë ish-banorëve të Bashkimit Sovjetik. Pas saj fshihet një traumë historike, të cilën shoqëria ruse nuk e ka kapërcyer ende deri më sot.

Gjatë 20 viteve të fundit të presidencës së Putinit, ndërsa respekti për të drejtat e njeriut dhe liria e shprehjes kanë vazhduar të zvogëlohen, shumë rusë vendosën një ‘vijë të kuqe’ për veten e tyre, përtej së cilës do të ishin të gatshëm të emigronin:nëse do të mbylleshin kufijtë.

Në tetorin e vitit 1917, bolshevikët organizuan një grusht shteti dhe e përmbysën qeverinë e përkohshme liberale. Disa muaj më vonë ata mbyllën kufijtë, duke e ndaluar udhëtimin jashtë vendit, por dhe eksportin e parave dhe sendeve me vlerë.

Fisnikëria ruse, poetët, artistët e shquar të avangardës, kërcimtarë të famshëm të baletit rus, shkencëtarë, shkrimtarë dhe gazetarë u detyruan të gjenin lloj-lloj mënyrash për të shpëtuar, duke braktisur të gjitha pasuritë e tyre. Tipike për atë periudhë është historia e poeteshës legjendare Zinaida Gippius dhe bashkëshortit të saj Dmitry Merezhkovsky, që u nominua disa herë për çmimin Nobel për letërsi.

Falë lidhjeve të tyre me ndikim, ata ia dolën të sigurojnë punë si mësues në terren në vitin 1919, duke u mësuar historinë e artit rus ushtarëve të Ushtrisë së Kuqe. Kjo u dha mundësinë të largoheshin nga Petrogradi (sot i njohur si Shën Petersburg), pavarësisht sistemit të rreptë të lejeve që kishin miratuat bolshevikët për hyrjen dhe daljen nga qyteti.

Kur mbërritën në front, u arratisën duke e kaluar në këmbë kufirin mbi akullin e Gjirit të Finlandës. Më pas iu desh shumë kohë për të udhëtuar nga Finlanda në Paris, ku ata kishin një apartament. Natyrisht ata nuk përbënin një përjashtim. Gjithë të tjerët hasën gjithashtu vështirësi në largimin nga Rusia, por jo të gjithë kishin prona në Paris.

Qindra mijëra njerëz u larguan nga Rusia në ato vite, mes tyre shumë nga ata që u bënë të famshëm jashtë vendit, duke dhënë kontribute të mëdha në kulturën dhe shkencën botërore: Nabokov, Rachmaninoff, Stravinsky, Diaghilev, Ayn Rand, Bunin, Chagall, Kandinsky, Sikorsky.

Edhe miqtë dhe kolegët e tyre donin të largoheshin, por në fund nuk ia dolën. Poeti i madh rus Alexander Blok, i sëmurë rëndë, kërkoi të shkonte për kurim jashtë vendit, por qeveria sovjetike u tall duke i dhënë vizë vetëm atij dhe jo bashkëshortes.

Mikhail Bulgakov, shkrimtari i madh rus dhe autori i romanit “Mjeshtri dhe Margarita” u përpoq të emigronte për disa dekada, dhe i shkroi shumë letra Stalinit, duke i kërkuar atij që nëse nuk donin ta linin të vinte në skenë dramat e tij në Rusi, të lejohet të paktën t’i vendoste jashtë vendit.

Por të gjitha kërkesat e tij u refuzuan. Po ashtu, gjatë gjithë historisë kulturore të Rusisë, ka pasur episode të ngjashme të kërcënimeve të elitës nga qeveria. Shkencëtarët, shkrimtarët dhe artistët rusë kanë synuar gjithmonë lirinë për të lëvizur në një kontekst global dhe për të komunikuar me kolegët e tyre, por autoritetet janë përpjekur vazhdimisht t’i kontrollojnë.

Rrjedhimisht, e gjithë inteligjenca e sotme ruse u rrit duke dëgjuar histori tmerri, sesi diktatura shkatërron më të zgjuarit dhe më të arsimuarit. Në historinë sovjetike, kishte dy qëndrime të ndryshme ndaj emigrimit. Nga njëra anë, një numër i madh njerëzish u larguan.

Nga ana tjetër ishin ata që qëndruan, dhe që shprehën përbuzjen e tyre për emigrantët. Simboli i grupit të fundit është poetesha e famshme Anna Akhmatova. Në vitin 1922, ajo shkroi poezinë “Unë nuk jam nga ata që e braktisën mëmëdheun”, të cilën ende sot fëmijët në shkollat ​​ruse duhet ta mësojnë përmendësh.

Vetë Akhmatova pati një fat tragjik. Në vitin 1921, burri i saj i parë, poeti Nikolay Gumilyov, u pushkatua. Në vitin 1935, djali i saj Leon u arrestua, dhe vetë Anna i kaloi vitet e ardhshme vijim në burgun Kresty në Leningrad, ku shkroi “Requiem”, poezinë e saj më të famshme. Burri i saj i fundit, Nikolay Punin vdiq në një gulag në vitin 1953.

Poema “Requiem” përfshin disa vargje që Akhmatova i shkroi në fund të jetës së saj, dhe të cilat citohen shpesh në Rusi si një dëshmi se emigracioni është një pamundësi morale absolute:”Zgjodha të qëndroj me popullin tim, atje ku i çoi katastrofa, unë isha atje…”- shkroi Akhmatova 5 vjet para vdekjes së saj.

Këto rreshta janë cituar shpesh vitet e fundit nga kundërshtarët e presidentit Putin. Nga ata që preferuan të qëndronin dhe të luftonin, në vend se të largoheshin nga vendi i tyre. Ato simbolizojnë fatin fisnik dhe heroik të atyre që zgjodhën të qëndronin në atdheun e tyre, duke duruar torturat dhe shtypjen.

Diskutimi “A ka ardhur apo jo koha për t’u larguar?”, ka qenë tema më e njohur e bisedave të përditshme në Moskë gjatë 20 viteve të fundit. Disa, duke përmendur Akhmatovën, thonë se largimi do të ishte i papranueshëm. Vetëm një pakicë besonte se tendencat ishin aq të frikshme, sa që emigracioni ishte e vetmja zgjedhje e mundshme morale.

Tetë vjet më parë, gjatë pushtimit të Krimesë, dy nga mediat më të njohura ruse u sulmuan: stacioni televiziv Dozhd (ku unë isha kryeredaktor) dhe gazeta online Lenta.ru. Punonjësit e Dozhd vendosën të qëndrojnë. Stafi i Lenta.ru vendosi të largohej nga vendi, dhe të krijonte në Letoni median e re të pavarur, Meduza.

Në fundin e vitit 2021, Meduza dhe Dozhd u shpallën thuajse njëkohësisht si “agjentë të të huajve”. Dhe javën e kaluar parlamenti rus miratoi një ligj, që e barazon me tradhtinë kombëtare çdo informacion të vërtetë mbi luftën. Tani të gjithë gazetarët përballen me 15 vjet burg për punën e tyre.

Stacioni televiziv Dozhd e pezulloi punën, dhe shumica e stafit u largua me nxitim drejt Stambollit ose Jerevanit. Ndërkohë, Meduza është e bllokuar në Rusi. Ndërsa po largohen, ata tashmë e dinë se janë kudo të mallkuar. Jashtë vendit do të priten si “njerëzit e Putinit”, dhe aspak si ata që luftuan atë, edhe pse pa sukses, për 20 vjet.

Por fluksi i njerëzve që largohen vazhdon pandërprerë. Dhe autoritetet në Kremlin duken mjaft të kënaqura me këtë zhvillim:emigrantëve u ndalohet të marrin me vete paratë e tyre, ndërsa deputetët kanë paraqitur propozime që emigrantëve t’u hiqet shtetësia dhe të shtetëzohen pronat e tyre.

Dhe Putini ndihet natyrisht shumë më mirë, kur kritikët e tij janë jashtë vendit. Lenini i quajti intelektualët “jashtëqitja e kombit”, dhe bëri gjithçka që kishte në dorë për t’i larguar nga vendi ose për t’i zhdukur.

Putini e ka hequr me po aq me efektivitet këtë “jashtëqitje” nga Rusia. Ka shumë të ngjarë që rusët të bëhen së shpejti një nga kombet më të mëdha të përçara në botë. Një pjesë, fitimtarët, do të jetojnë në Rusi, të rrethuar me një mur. Të tjerët, humbësit, do të jenë nga jashtë, në anën tjetër të murit. Dhe ata do të presin që muri një ditë të rrëzohet. ./abcnews.al

Shënim:Mikhail Viktorovich Zygar, është gazetar dhe shkrimtar rus. Gjatë viteve 2010- 2015, ka qenë kryeredaktor i rrjetit të pavarur televiziv rus Dozhd.