Ditën e sotme u mbajtën edhe zgjedhjet për president të FSHF-së, ku Armando Duka u rizgjodh për të 6-të herë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Duka fitoi garën përballë Sulejman Starovës, ndërsa kandidati tjetër Dritan Shakohoxha nuk u paraqit gjatë Asamblesë.
Nga 43 delegatë votues, fitoi 37 vota shkuan në favor të kreut të FSHF-së, ndërsa vetëm 4 vota shkuan për Starovën. I pranishëm në asamble ishte edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili ka uruar Duka për mandatin e tij të ri.
“Kam nderin dhe kënaqësinë që në emrin tim, në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe tërë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju përcjell urimet më të mira dhe më të sinqerta për rizgjedhjen tuaj si president i FSHF-së. Mbështetja që gëzoni në komunitetin sportiv në Shqipëri, kontributi dhe vizioni juaj në transformimin e futbollit shqiptar ndër vite si dhe prezantimi juaj në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, dëshmojnë punën tuaj të drejtë dhe kjo na bën të ndihemi krenar me të arriturat e përgjithshme të futbollit në Shqipëri dhe jo vetëm. Duke iu uruar edhe më shumë suksese në të ardhmen dhe duke iu garantuar bashkëpunim të sinqertë e vëllazëror edhe në vitet që na presin, ju dëshiroj punë të mbarë dhe shëndet në mandatin e ri katërvjeçar”, ka uruar presidenti Ademi. /f.a/abcnewsa.l