I ftuar në ‘Radari Informativ’ në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, eksperti i ekonomisë Akil Kraja, ka komentuar paketën e qeverisë për përballimin e krizës që ka kapur vendin, e cila vjen pas rritjes së çmimeve, çka ka sjellë edhe protestat e qytetarëve.
Kraja tha se 7 pikat e qeverisë nuk adresojnë problemin. Sipas tij këto pika thjeshtë bëjnë menaxhimin momental të gjendjes por nuk janë zgjidhje.
‘Mendoj se 7 pikat nuk adresojnë problemin kryesor që vbjen në kontekstin e këtyre protestave. Shkëndija filloi kur individë kompani struktura vendosën në mënyrë arbitrare të njëjtin çmim. Shteti nuk ishte në gjendje të garantonte konkurrencën e lirë. Kjo konkurrencë e pandershme ndikoi drejtpërdrejtë në ekonominë shqiptare. Shqipëria është shumë e varur nga nafta, shqiptarët janë të varur nga çmimi, ky ishte shkaku kryesor. Unë besoj se në 7 pikat nuk ka asnjë adresim të këtij fenomeni’, tha Kraja.
Ndërkohë eksperti i ekonomisë theksoi se shqiptarët do të vijojnë të ngrihen në protesta në krizën e radhës, e cila mund të jetë dhe natyrore. Sipas tij krizat kanë treguar se sa e rëndë është ekonomia familjare e shqiptarëve.
‘Duhet një qasje strukturale për realitetin jetik. Jemi një vend eksportues nafte ndërkohë që importojmë. Duhet një menaxhim më funksional. Shumë shpejt në krizën e radhës mund të jenë përmbytje, uroj mos jetë tërmet i radhës, mos jetë Covid i radhës, në krizën e radhës do të kemi sërish protesta, do të shohim se sa shumë e vuajnë krizën familjet shqiptare’, vijoi më tej Kraja. /Abcnews.al/