“Ika në luftë pa i treguar familjes, më panë në TV”, ekipi i ABC rrëfen detaje nga raportimi në Ukrainë

schedule08:40 - 14 Mars, 2022

schedule 08:40 - 14 Mars, 2022

Ekipi i ABC që ishte para disa ditësh në Ukrainë ishin të ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ku treguan detaje nga raportimi në frontin e luftës. Gazetari Taulant Kopliku tha se kishin kontaktuar me një të ri ukrainas, që ishte njohës i mirë i terrenit, për t’i orientuar.

Kopliku theksoi se rrugëtimi drejt Kievit ishte një sfidë e vështirë ndërsa shtoi se rusët tani po sulmojnë dhe gazetarët pasi nuk iu pëlqen raportimi që po bëjnë për luftën. “Në Irphin ishte një mobilizim i jashtëzakonshëm nga pala e Ukrainës. Një nga objektivët e rusëve janë kthyer dhe gazetarët.

Qasja e tyre i ka nervozuar rusët, po godasin dhe makinat e shkruara Press”, tha Taulanti. Dhe operatori Adi Kamberi rrëfeu përjetimet e tij para dhe pas luftës gjatë bisedës në studio.

Dhe para lufte ndihej tensioni, pasiguria e njerëzve. I kishin sytë nga Perëndimi për mbrojtje ajrore. Jeta vazhdonte normalisht por më pak se 10 ditë më pas, gjithçka kishte ndryshuar. I gjithë qyteti ishte në barrikada. Njerëzit lëviznin shumë pak.”, tha ai. 

Frenki Zotka, i cili ishte gjithashtu pjesë e stafit tha se nuk iu kishte treguar familjes se do të udhëtonte drejt Ukrainës. Ata e kishin mësuar nga televizori. “Familjarëve nuk iu thashë dhe më panë rastësisht në televizion. Isha unë dhe Adriano që më sqaronte se si të mbrohesha nga bombat.“, tregoi ai. /abcnews.al