Skënder Gega është prezantuar ditën e sotme si trajneri më i ri i ekipit të Skënderbeut.
Gega dikur shpalli kampion Partizanin dhe sot është prezantuar me një frymë optimiste dhe prej fituesi të vërtetë duke thënë se do e kthejë klubin në luftën për të fituar trofe.
“Ne jemi miq me presidentin, dashamirësia nuk ka munguar as kur kemi qenë kundërshtarë. Ky është një profesion që e dashuroj, nuk është e thënë të jesh vetëm tek ekipet e vendeve të para. E kam për nder dhe ndihem i respektuar që do të jem në krye të ekipit të një qyteti si Korça. Jam optimist, ekipi është i mirë, është i mbushur me djem të rinj.
Do i marrim me qetësi problemet, e rëndësishme dhe thelbësore është t’i besojmë njëri-tjetrit. Jam munduar të shmang presionet kudo ku kam shkuar. Unë e shoh Skënderbeun si pretendent për të bërë hapa gradualisht, unë besoj. Të shohim ndeshjen më të afërt, që është dita e diel.
Organika e ekipit? Më pëlqen që kampionati ka kaq shumë rivalitet. Kjo është sfida ime, kam ardhur për presidentin Takaj dhe Skënderbeun në një moment të vështirë. Kam parë grupin, ekipi është i mirë, por të besojmë te njëri-tjetri. Pa optimizëm nuk vazhdohet përpara në futboll.
Kam qenë suport për Memellin, ka bërë punë të mirë. Fati i ka munguar. Skënderbeu ka potencial për të dhënë më tepër, sepse janë djem të rinj. Lojtarët të kenë këmbët, mendjen dhe zemrën. Asgjë nuk u mungon.
Laçi? Skënderbeu ka edhe traditë, ka fituar tituj, pse jo të mos vazhdojmë në të njëjtën rrugë. Ndeshja me Laçin është shumë e vështirë, ata janë ndër ekipet më të mira të Superiores. I respektojmë shumë, por do tentojmë të bëjmë më të mirën tonë”, ishin fjalët e tij./ h.ll/abcnews.al