Qytetarët shqiptarë janë mbledhur sot para kryeministrisë në shenjë protestë, për shkak të rritjes abuzive të çmimit të karburantit dhe produkteve në përgjithësi. Protestuesit kërkojnë ulje të çmimit të naftës, pasi e kanë të pamundur të përballojnë çmimet që kanë shkuar në stratosferë.
Me pankarta në duar dhe me gjenerator para kryeministrisë në shenjë simbolike, protestuesit kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë në uljen e çmimin e karburanteve por edhe produkteve të shportës që tashmë janë bërë të pa përballueshme për xhepat e të gjithë shqiptarëve.
Në lidhje me këtë aktivistja për të drejtat e njeriut, Edlira Çepani, kërkon ulje të taksës së karburantit. Ajo thotë se vendi jonë ka çmimin më të lartë të taksës së karburantit në rajon.
Lexo edhe: Revoltë para kryeministrisë, qytetarët në protestë: Rritja e çmimeve rëndon direkt në xhepat tanë
Edlira Çepani: Kujt nga ju nuk i ka ardhur në majë të hundës me abuzimet që bëhen nga lekët e qytetarëve. E dimë që ka luftë, e dimë që ka abuzime.
Kemi taksën e karburantit më të lartë në rajon dhe Evropë. Të behet kontroll i tregut. Është koha për të ulur taksat. Paguajmë 130 lekë për çdo litër karburant. Duhen mbështetur shtresat në nevojë.
Nuk mund të tallemi me bukën e tyre, me djersën dhe gjakun e tyre. Kush nga ju ka pritur me orë të tëra në të ftohtë sepse transporti urban kishte protestë dje për rritjen e çmimeve? Do ta ngrejmë zërin deri në fund. Kjo që po ndodh në Shqipëri është padrejtësi. Duam mbështetje, duam kontroll, duam ulje të çmimeve përmes uljes së taksave.
Që nga nisja e luftën në Ukrainë, çmim i naftës në vendin tonë pësoi një rritje alarmante duke shkuar 269 lekë, një rekord historik.
Nga ana tjetër vetëm në pak ditë çmimet bazë të shportës ushqimore kanë pësuar një rritje të fortë që varion nga 20 deri në 50 lekë për produkt. Vetëm në pak ditë janë shtrenjtuar qumështi, djathi, vaji, orizi e mielli. Qytetarët ankohen se është e pamundur të përballohet një kostot e tillë e jetesës. Ata shprehen se për të jetuar do të detyrohen të blejnë vetëm gjerat më të domosdoshme.
/abcnews.al
/abcnews.al/