Qytetarët lihen në këmbë, institucionet nuk i mbrojnë, kompanitë shkurtojnë numrin e autobusëve: Duam biletën 80 lekë, ndryshe…

schedule12:08 - 8 Mars, 2022

schedule 12:08 - 8 Mars, 2022

Një pjesë e mirë e qytetarëve të Tiranës që u është dashur të shkojnë në punë kanë mbetur në rrugë sot pasi kompanitë e transportit urban kanë shkurtuar numrin e autobusëve me argumentin se është shtrenjtuar nafta.

Në një deklaratë për mediat paraditen e sotme ata kërkojnë dyfishimin e biletës së urbanit në Tiranë duke theksuar se aktualisht secila kompani ka vendosur vetë se sa autobusë do të nxjerrë nën rrugë në varësi të kostove dhe fitimit që ka.

“Secili operator ka vendosur së paku me atë  fuqi që ka me 20, 30, 70% të flotës së mjeteve të lëvizë, por siç e shohim sot, stacionet janë plot me njerëz që edhe nafta dje na erdhi njoftimi që në pikat e furnizimit do jetë diku tek 220 lekë për litër me shumicë”, u shprehen sot përfaqësues të Unionit të Transportit Urban. 

Sipas tyre, rritja e çmimit të biletës nga 40 në 80 lekë është zgjidhja e vetme për të shmangur kolapsin e këtyre kompanive.

“Rritja vjen në vijim të mungesës së plotë nga organet përgjegjëse të një ndihme konkrete. Deri më sot nuk e kishim kërkuar rritjen e çmimit të biletës, por sot është zgjidhja për shmangur kolapsin. Kjo është zgjidhja e fundit sepse nuk ka mbetur gjë tjetër. Ne nuk mund ta rrisim dot vetë biletën. Nga sot çdo operator bazohet në mundësitë e veta dhe ka vendosur që të reduktojë flotën bazuar në punën dhe të ardhurat që ka. Nëse çmimi nuk do rritet, nëse ndihma nuk do të ketë do të shkojmë drejt mbylljes totale të shërbimit sepse është e pamundur për të operuar“, tha një tjetër përfaqësues nga unioni.

Bileta e urbanit u shrenjtua nga 30 në 40 lekë në 2015. Por, pavarësisht kësaj, urbanët në Tiranë nuk rritën shërbimin ndaj qytetarëve, ku qytetarët vijuan të futeshin si sardele në autobus; në shumicën e rasteve pa kondicionerëme orare pa orar, me shoferë të kapur tapë në timon nga policia, etj.

Duket se edhe kësaj radhe qytetarët e Tiranës janën vetëm përballë kërcënimit të kompanive të transportit qytetas, të cilët në mungesë të autoritetit të institucioneve përgjegjëse gjejnë hallkën më të dobët për t’i zhvatur edhe më tepër para, klientin e tyre, qytetarin.

/abcnews.al