Eurogrupi shtyn lëvrimin e këstit për Greqinë

schedule19:48 - 12 Mars, 2019

schedule 19:48 - 12 Mars, 2019

Me argumentin se nuk ka përmbushur detyrimet, ministrat e Financave të Eurozonës kanë vendosur të shtyjnë lëvrimin e këstit të radhës për Greqinë. Ndërkohë, shtypi europian ka kritikuar kryeministrin Tsipras, se po zbaton politika të kushtueshme sociale vetëm e vetëm që të rizgjidhet.

Ministrat e financave të eurozonës e kanë shtyrë për muajin e ardhshëm disbursimin e një kësti me vlerë një miliard euro për Greqinë. Takimi i Eurogrupit, të hënën në mbrëmje konkludoi se qeveria greke nuk i ka bërë gjithë detyrat e shtëpisë, që parashikon marrëveshja me partnerët e vendit. Ministrat e financave u pajtuan që vendimi për këstin të merret në takimin tjetër të tyre, në fillim të muajit prill. Ata nuk u bindën nga deklarata e ministrit grek të financave, Euklidis Tsakalotos se detyrat e papërmbushuara janë të karakterit teknik e rrjedhimisht nuk duhet të pengojnë disbursimin e këstit. Gjithsesi, ministrat e financave u shprehën me fjalët më të mira për progresin e Greqisë në përmbushjen e kushteve që parashikonte memorandumi me kreditorët. Por shtypi europian ka kritikuar kryeministrin Aleksis Tsipras, se po zgjidh qesen e ofertave sociale, me vështrimin në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen më së voni në tetor të këtij viti. Revista gjermane Der Spiegel vë në dukje se kryeministri Tsipras po promovon masa sociale të kushtueshme, me qëllim që të arrijë rizgjedhjen e tij, në kohën që sondazhet rezultojnë kundër SYRIZA-s. Problemi për ekonominë greke është që sa zgjat periudha elektorale, aq më i madh është rreziku që qeveria të stopojë reformat dhe të fillojë të shpërndajë dhurata elektorale, në përpjekje për të ndryshuar klimën negative”, thekson Der Spiegel. Kundër premtimeve elektorale të zotit Tsipras shprehet edhe Fondi Monetar ndërkombëtar, në raportin për Greqinë që u publikua të martën. /abcnews.al