Një ditë pas zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki, nënkomisionerja e KQZ, Lealba Pelinku, bëri një raportim mbi mbarëvajtjen e procesit të identifikimit elektronik të votuesve. Pelinku tha se nga 941 qendra votimi në tetë qendra nuk u përdor pajisja elektronike për identifikimin të votuesve.
Ajo tha se 3 raste kishin të bënin me 3 qendra ku procesi i votimit nuk u zhvillua për shkak të problemeve me transportin të komisionerëve.
Lexo edhe: Zgjedhjet, KQZ jep detaje mbi procesin: Votimi elektronik i suksesshëm, problem votimi familjar
Në tre rastet e tjera identifikimi elektronik nuk u bë për shkak se operatorët nuk respektuan afatin kohor për zëvendësimin e pajisjes, duke përdorur kështu mënyrën tradicionale me lista.
Ndërsa 2 rastet e tjera sipas Pelinkut kanë të bëjnë me pamundësinë e zëvendësimit të operatorëve.
“Të dhënat lidhur me shkallën të përdorimit të pajisjes për identifikimin e elektronik në 941 qendrat e votimit. Tre raste lidhen me ato qendra votimi që tashmë dihen që janë qendrat ku nuk u zhvillua procesi i votimit.
Dy nga operatorët së bashku me komisionerët për shkak të problematikave të transportit nuk mundën të ndodheshin në qendrën e votimit.
Po kështu problem i ngjashëm me një operator, i cili nuk shoqërohej nga komisionerët, por edhe ai për shkak të pamundësisë të transportit nuk mundi të paraqitet në atë qendër votimi, ku dhe nuk u zhvillua procesi i votimit.
Kemi dhe 3 raste ku procesi elektronik filloi, por në njërin rast komisionerët e qendrës së votimit në shkelje të akteve të KQZ nuk respektoi afatin kohor prej dy orësh për zgjidhjen e problemit elektronik që u shfaq për të zëvendësuar pajisjen, dhe kaluan në identifikimin e zgjedhësve në listën e zgjedhësve.
Kemi dhe 2 rase në dy qendra votimi ku shumë pak para orës së votimit jemi raportuar nga operatorët për pamundësi të tërheqjes së tyre. Bëhet fjalë për qendra votimi ku ishte i pamundur të kryhej zëvendësimi i këtyre dy operatorëve me operatorë rezerv.
Në 933 qendra votimi ku është perdorur pajisja elektronike për identifikimin kemi vetëm 19 zëvendësime të pajisjes.
Në krahasim me 25 prillin KQZ ka bërë një hap përpara drejt suksesit akoma më të madh të përdorimit të kësaj teknologjie”, u shpreh Pelinku./abcnews.al/


