I treti në Lushnje, Indrit Sefa: Debati ynë i brendshëm ka gërryer besimin e njerëzve te PD

schedule16:37 - 7 Mars, 2022

schedule 16:37 - 7 Mars, 2022

Kandidati i Partisë Demokratike në Lushnje, Indrit Sfa ka reaguar pas humbjes me rezultat të thellë në këtë bashki, ku u rendit i treti. Në një postim në rrjetet sociale, Sefa e ka cilësuar si të pazakontë këtë garë, ndërsa falënderon të gjithë stafin e tij.

Demokrati thekson se në zgjedhje nuk doli pjesa më e madhe e qytetarëve, ndërsa shton se mesazhin e ka lexuar qartë. Sipas tij debati i brendshëm politik ka gërryer besimin e njerëzve tek Partia Demokratike dhe tek politika në tërësi.

Reagimi i plotë:

Mirënjohje për bashkëqytetarët që i besuan Partisë Demokratike dhe mua personalisht në këtë garë të pazakontë dhe në kushte të pazakonta. Dua të falenderoj nga zemra stafin tim në këtë fushatë dhe cilindo që besoi se Lushnja ka nevojë për të ndryshuar.

Për fat të keq, në zgjedhje nuk doli pjesa më e madhe e qytetarëve që bëjnë ndryshimin. Mesazhin e kam lexuar qartë. Debati ynë i brendshëm politik ka gërryer besimin e njerëzve tek Partia Demokratike dhe tek politika në tërësi.

Mirëpo, ndryshimin qytetarët e kërkojnë nga NE, Partia Demokratike e Shqipërisë.

Ne duhet të rigjejmë vetveten dhe t’u japim njerëzve NDRYSHIMIN!

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!