Sa kohë do të jetë në gjendje Kievi të përballojë rrethimin ushtarëve të Putinit?

schedule19:30 - 7 Mars, 2022

schedule 19:30 - 7 Mars, 2022

Nga Michelangelo Freyrie “Linkiesta

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mediat sociale janë të mbushura me foto dhe video që tregojnë përgatitjet për mbrojtjen e Kievit. Pas rënies së qytetit Kherson (280.000 banorë para luftës) dhe fillimit të rrethimit të Mariupol-it (444.000 banorë), ushtria ruse do të duhet të vendosë nëse do t’i përqendrojë burimet e saj në përparimin në jug të vendit, apo do të nisë një sulm vendimtar ndaj dy objektivave më prestigjioze në aspektin politik:Kiev dhe Kharkiv.

Dy metropolet, me popullsi përkatësisht 2.8 dhe 1.4 milionë banorë, do të kërkojnë një përpjekje shumë më të madhe për t’u pushtuar për shkak të madhësisë së tyre. Pikërisht në këto kontekste operacionale, strategjia ukrainase e mbrojtjes totale, pra mobilizimi i tërthortë i të gjithë shoqërisë ukrinase kundër kërcënimit rus, mund të sjellë rezultatet e pritura.

Fushata e armatimit të civilëve, prodhimi masiv i koktejve Molotov dhe furnizimi më armë nga Perëndimi -sidomos me raketat kundër tankeve – duhet të jenë shumë efektive në zonat urbane, ku bien shumë nga avantazhet (në letër) të pushtuesit rus.

Sfidat e luftës urbane

Lufta urbane konsiderohet si një skenar makthi për shumicën e ushtrive. Nga pikëpamja fizike dhe njerëzore,një qytet modern, është një zonë e vështirë për t’u vendosur nën kontroll. Kjo pasi është një grupim ndërtesash të ndërtuara shpesh me materiale të ngjashme me ato të përdorura në ndërtimin e bunkerëve, dhe banorët janë pjesë e rrjeteve shoqërore, ekonomike dhe politike shumë më komplekse dhe më elastike sesa ato lineare që përbëjnë një strukturë komandimi normale.

Kjo e bën shumë më të vështirë përkuljen e rezistencës dhe imponimin e një kapitullimi. Në qendrat urbane, dukshmëria që garantohet zakonisht nga dronët dhe njësitë e zbulimit në fushë të hapur, bie thuajse në zero, pavarësisht përparimit teknologjik në fushën e ISR (inteligjencë, mbikëqyrje, zbulim ).

Një shembull është dredhia e përdorur nga ISIS gjatë betejës për Mosulin kundër satelitëve amerikanë. Duke i mbushur rrugët me goma të trasha plastike dhe mbeturina, sistemet amerikane ISR ishin në thelb të verbër ndaj lëvizjes së trupave xhihadiste.

Metafora e xhunglës së betonit është shumë e dobishme:ashtu si në një pyll tropikal, mbrojtësit e qytetit arrijnë të fshihen dhe të vëzhgojnë përparimin e sulmuesve, të cilët shpesh detyrohen të kalojnë nëpër rrugë dhe sheshe që janë të prirura të kenë shumë prita.

Edhe epërsia ajrore ose sulmet e artilerisë kanë pak efekt në këtë rast:sulmet që godasin ndërtesa të veçanta,vetëm sa i shtyjnë mbrojtësit të kalojnë në godina të tjera. Ndërsa bombardimi total i gjithçkaje krijon një “labirint” të vërtetë rrënojash lehtësisht të mbrojtshme (përveç rastit kur sulmuesi është në gjendje të përfitojë menjëherë nga goditja e armikut).

Metoda më efektive për të depërtuar në lagje është duke shkatërruar muret, duke përdorur buldozerë të blinduar ose ngarkesa shpërthyese. Por edhe kjo është një metodë shumë e ngadaltë që nuk i përshtatet shtrirjes së madhe tëKievit (839 kilometra katrorë, po aq sa Berlini).

Gjeografia e Kievit

Kryeqyteti i garanton vetes një mbrojtje të fortë për disa arsye:Prania e një rrjeti metroje shumë të zhvilluar, ofron vend-strehime të shumta dhe rrugë nëntokësore, ku mund të përforcohet ndjeshëm sistemi mbrojtës. Kësaj i shtohet edhe sistemi i kanalizimeve dhe i degëve të lumit të madh Dnieper, që mund t’i detyronte rusët të ndërtonin ura nën zjarrin e armikut.

Një variabël që duhet pasur parasysh, është edhe stoku i larmishëm i pasurive të paluajtshme. Në disa lagje, shumica e shtëpive janë “hrushovka” pra godina banimi 5-katëshe të ndërtuara me tulla në fundin e viteve 1960, me një planimetri gati të njëjtë.

Muret e këtyre komplekseve janë mjaftueshëm të hollë për të lejuar një përparim të shpejtë dhe planimetria e parashikueshme e dhomave të brendshme, do t’i ndihmojë njësitë ruse që të avancojnë pak a shumë verbërisht. Por në qytet, ka edhe komplekse të mëdha banimi me disa kate në beton arme, që mund të shndërrohen në bastione të mundshme shumë më të pathyeshme.

Vështirësitë e ushtrisë ruse

Efikasiteti i ofensivës ruse në Kiev, do të varet gjithashtu edhe nga objektivi që i ka vendosur vetes regjimi në Moskë. Strategjia e Ukrainës ka të ngjarë të jetë blerja e sa më shumë kohe që të jetë e mundur,gjë që do t’i lejonte forcat e armatosura të organizonin linja shtesë mbrojtëse në zonën e Lvivit, dhe të furnizojnë njësitë e tyre me armët që vijnë nga Perëndimi.

Por synimi politik i rezistencës urbane është po aq, në mos më i rëndësishëm:që t’i detyrojnë  rusët të angazhohen në një betejë të përgjakshme shtëpi më shtëpi, ku qeveria mund të sigurojë mbështetje të qëndrueshme publike nga vendet e NATO-s, dhe t’i japë besueshmëri premtimit për të rezistuar, duke rritur ndjeshëm edhe kostot e pushtimit për Rusinë.

Por nuk është e qartë nëse rusët do të kenë prioritet eliminimin e luftëtarëve dhe qeverisë, siç kanë tentuar forcat speciale ruse ditët e fundit, apo pushtimin e gjithë territorit. Një analizë e operacioneve amerikane në Mosul, e publikuar nga Akademia e Shkencave Ushtarake në Moskës, sugjeron se forcat ruse mund të favorizojnë qasjen e fundit për t’i penguar forcat ukrainase që t’i kthejnë zonat e pushtuara në kështjella autonome.

Lufta shtëpi më shtëpi do të shtonte vështirësitë që ka hasur ushtria ruse në fazat e hershme të luftës. Koordinimi joefikas i këmbësorisë dhe i forcave të blinduara, për të mbrojtur tanket nga pritat dhe për të mbështetur këmbësorinë me armë të kalibrit të rëndë, mund të rezultojë fatal në një ambient urban. Edhe sistemi i mbështetjes ajrore ishte gati jo-ekzistent në praktikë.

Modeli i Idlibit

Në rast se rusët do të arrijnë të rrethojnë kryeqytetin, siç duket se duan të bëjnë, nëse marrim parasysh edhe sulmet e ndërmarra për të treguar forcën në Perëndim dhe lindje të metropolit, atëherë Moska mund të përdorë një qasje që e ka testuar tashmë në Siri:rrethimin e zgjatur në kohë.

Kjo do të shkaktonte padyshim një katastrofë humanitare, e cila do t’i përshtatej strategjisë ruse “përça dhe sundo”. Pas ndërhyrjes në Siri, udhëheqja e Kremlinit bëri të pamundurën për të negociuar 4 armëpushime lokale, me synim ndalimin e luftimeve në disa qytete siriane.

Kjo i dha avantazhe ushtarake regjimit të Assad, që ishte në gjendje të ngrinte disa fronte duke i përqendruar forcat e tij në një sektor. Por edhe më të rëndësishme ishin avantazhet politike të një lëvizjeje të tillë. Gjatë luftës në Siri, të dy regjimet arritën marrëveshje me kundërshtarët për të transferuar elementët e padëshiruar më militantë në zonën e Idlibit,

ku ishte në fuqi një nga këto armëpushime.

Duke vepruar kështu, Moska dhe Assad arritën të pushtonin bastionet e rebelëve dhe të përqendronin në një zonë më të ngushte kundërshtarët e qeverisë. Ngritja e një qeverie kukull apo e një administrate pro-ruse në territoret e pushtuara, mund të nxisë këtë lloj spastrimi politik, ndoshta duke favorizuar një emigrim masiv të ukrainasve më pro-evropianë drejt Bashkimit Evropian. Por mposhtja e qeverisë legjitime do të kërkonte një fushatë dhune të ndyrë kundër civilëve, duke e lënë Kievin përballë një zgjedhje të tmerrshme:më mirë një Stalingrad apo Idlib? /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!