Nga Erblina Mile
Biznesi dhe qytetarët janë pesimistë për gjendjen e tyre financiare.Banka e Shqipërisë ka publikuar raportin e ndjesisë ekonomike i cili ka pësuar një rënie për të dytin muaj radhazi. Në shkurt rënia është me 1.9 % dhe u shkaktua nga rënia e besimit në pothuaj të gjithë sektorët e ekonomisë .
Ndërkohë që pritej stabilizim i çmimeve në mes të këtij viti konflikti Rusi-Ukrainë e ka bërë më të paqëndrueshme situatën dhe parashikimet ekonomike mbeten të paqarta si për biznesin ashtu edhe për qytetarët
Treguesi i besimit në ndërtim u ul me 3.9 pikë përqindje në shkurt pasi Bizneset në ndërtim vlerësuan me rënie aktivitetin ndërtues dhe nivelin e kontratave porositëse .
Edhe pritshmëritë në sektorin e shërbimit mbeten negative për të ardhmen.Treguesi i besimit në këtë sektor pësoi një rënie me 2.2 pikë përqindje në muajin shkurt I cili u ndikua nga vlerësimet më pak pozitive për kërkesën për shërbime.
Tregtia është sektori i cili ka vlerësime më negative për shkak të rritjes së çmimeve duke pësuar rënien më të madhe me 4.8 pikë.
Edhe pritshmëritë e qytetarëve janë më negative për muajt në vijim e ndikuar kjo direkt nga gjendja financiare dhe pritshmëritë për ecurinë ekonomike në të ardhmen.
Në lidhje me ndikimin që mund të ketë lufta Rusi-Ukrainë Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar ndërkombëtar kanë zhvilluar së fundmi një diskutim .Banka e Shqipërisë theksoi se mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe stabilitetin e sistemit financiar.
Ndërsa u theksua se tashmë me rëndësi është monitorimi i vazhdueshëm i situatës, si dhe koordinimi i politikave nga autoritetet shqiptare./abcnews.al