Rudina Hajdari nuk dorëzon mandatin: Do të vijoj të qëndroj në Parlament

schedule18:33 - 11 Mars, 2019

schedule 18:33 - 11 Mars, 2019

Demokratja Rudina Hajdari do të vijojë të qëndroje në Parlament pavarësisht vendimit të opozitës për të djegur mandatet e deputetëve të saj. Hajdari e bëri të ditur këtë vendim në një interviste për “Zërin e Amerikës”, pak dite pas shfaqjes në krah të Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë Luigi Soreca.

“Unë mendoj se parlamenti i jep oksigjen demokracisë në vend, u jep oksigjen partive politike, ai është vendi ku ne përfaqësojmë sovranin. Duke marrë parasysh këtë përgjegjshmëri të lartë që unë ndjej mbi shpatulla, mendoj se qëndrimi në parlament do të ishte vendimi më i duhur dhe shërbimi më i duhur që do t’i bëja të ardhmes së Shqipërisë… Ky vendim ka lidhje me Kushtetutën tonë. Unë nuk mund të ndjek dot një vendim kolegjial, që shkon kundër frymës së Kushtetutës së Shqipërisë, kundër interesit të Shqipërisë. Më vjen keq nëse unë zhgënjej partinë time në këtë mes, por unë do të zgjedh interesin e Shqipërisë mbi të gjitha.”

Hajdari tregon arsyet pse mori një vendim të tillë. Të njëjtat që thotë se do t’i parashtronte dhe në mbledhjen ku Partia Demokratike mori vendimin për të djegur mandatet dhe ku ajo nuk ishte e pranishme.

“Vendimi për të dorëzuar mandatet në mënyrë në bllok nga të gjithë deputetët e opozitës dëmton interesin e Shqipërisë në dy mënyra. Së pari ai dëmton proceset integruese në Bashkimin Evropian dhe së dyti dëmton marrëdhëniet bilaterale me partnerët tanë strategjikë si SHBA dhe BE. Mendoj se ky vendim është marrë në mënyrë rrufe. Përvoja e jetës na tregon që kur marrim vendime pa i menduar mirë mund a paguajmë shumë shtrenjtë”. 

Demokratja Rudina Hajdari  del kundër vendimit të  opozitës pasi mendon se ai mund të çojë vendin në destabilitet.

“Kjo na kujton një të shkuar që na rëndon mbi supe. Shqipëria e ka provuar destabilizimin. Me destabilizim ne zerojmë çdolloj zhvillimi dhe përparimi në procesin e demokracisë. Demokracia është fituar në Shqipëri. Destabilizimi është një kthim pas, ndaj unë do të doja që Shqipëria të mos e përjetojë kurrë më këtë gjë. Do të doja që të ishim të gjithë së bashku të një mendimi që Shqipëria të mos shkojë më drejt asaj rruge. Këtë lloj politike, këtë model politike, që e ka çuar Shqipërinë në destabilizim, shqiptarët e kanë paguar shtrenjtë. Prandaj mendoj se vendimi im është ai i duhuri.”

Sa i përket akuzave për tradhti që mund të vijnë pas vendimit te saj, Hajdari jep këtë përgjigje.

“Kjo gjë mua nuk më shqetëson absolutisht fare, sepse këto akuza vijnë nga njerëz me shpirt të ngordhur dhe që janë shpresë-shtypësit e këtij vendi. Unë nuk jam nga ata njerëz: Unë nuk e shes shpirtin tim. Në momentin që shpirti shitet nuk blihet më”. 

Ndërsa për mundësinë  për ta përjashtuar nga Partia Demokratike Rudina Hajdari kthehet në kohë dhe i kujton lidershipit të selisë blu  historinë e te atit, Azem Hajdarit.

 “Unë dua t’i kujtoj Partisë Demokratike se kjo nuk është hera e parë që ajo përjashton deputetë apo anëtarë të saj, madje kanë ndodhur edhe në familjen time, ka ndodhur me tim atë dy herë dhe në të dy rastet ato janë penduar për këto vendime. Gjatë jetës së tij Azem Hajdari është përjashtuar dy herë nga Partia Demokratike dhe për këto vendime besoj se Partia Demokratike është penduar. Duhet të jemi shumë të matur para se të marrim këto lloj vendimesh dhe të jemi të kujdesshëm se çfarë mesazhesh ne japim me këto vendime.”

Shqipëria është në një udhëkryq, ku nuk shihen zgjidhje as majtas as djathtas thotë Rudina Hajdari qe e thekson gjithashtu se në parlament do të luftojë për të përmirësuar sistemin.  Lidhur me reformën zgjedhore Rudina Hajdari  thotë se nuk mund të jetë krah Lëvizje Socialiste për Integrim.

“E kam shumë të vështirë të luftoj përkrah një partie si LSI. Nuk e bëj dot sepse është një çështje parimore për mua. Po të hapësh raportet e OSBE/ ODIHR, ajo është një nga partitë që ka patur shumë probleme kur vjen fjala për këtë fenomen”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!