Kartelet e drogës po kalojnë gradualisht në kontrollin e naftës në disa rajone të Meksikës. Në përpjekje për të kontrolluar industrinë e arit të zi, mes bandave ka shpërthyer një luftë, që në ditët e fundit ka marrë jetën e 15 personave.
Të paktën 15 persona mbetën të vrarë dhe 7 të tjerë të plagosur në një atentat me armë zjarri në një klub nate në shtetin Guanajuato të Meksikës. Një grup personash të armatosur, të cilët zbritën nga 3 furgonë hynë në klubin në qytetin Salamanka dhe hapën zjarr me armë automatike. Ende nuk dihet autorësia e sulmit, por dyshohet që pas tij të fshihen kartelet e drogës që tashmë kanë kaluar në kontrollin e naftës. Faktikisht, rafineria e naftës në qytetin Salamanka ka rënë shpesh herë pre e grabitjeve. Javën e kaluar, presidenti Manuel Lopez Obrador i dha jetë një ofensive për kapjen e liderit të bandës, Hoze Antonio Jepez, i njohur me pseudonomin “El Marro”. Sipas zyrës së prokurorit të shtetit Guanajuato, 13 nga viktimat gjetën vdekjen në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetën në spital. Qyteti Salamanka është një zonë industriale që ka shërbyer si magnet për prodhues prestigjozë të automjeteve si “Volkswagen”, “General Motors” dhe “Toyota”, por gjatë vitit të kaluar përjetoi një dyfishim të vrasjeve, duke u kthyer në një nga rajonet më të dhunshme të Meksikës. Kur ka kaluar mbi një dekadë që nga angazhimi i ushtrisë kundër karteleve të drogës, që ishin dhe vitet me gjakderdhjen më të madhe, përpjekja e fundit do të jetë një test për qeverinë e re për t’i vënë fre aktiviteteve të krimit të organizuar. /abcnews.al