Llazi Içka është 82 vjeç dhe njihet si një nga mjeshtrat më të mirë të përpunimit të drurit. Ai është fitues i disa çmimeve jo vetëm brenda vendit dhe çdo ditë gjendet në studion e tij për të punuar.
Është e vështire këto kohë të takosh një burrë në moshë me fytyrë të qeshur dhe të qetë. 82 vjeç, Llazi Içkën e gjejmë në çdo orë brenda në studion e tij, në një nga rrugët më të vjetra të Pogradecit.
Ish-mësuesi nuk ka hequr dorë nga pasioni i tij që në fëmijëri. Gdhend drurin dhe krijon objekte të veçanta. Në muret e studios janë të varura shumë nga punimet e tij. Madje edhe fasada e shtëpisë së tij 3-katëshe është e mbuluar me gdhendje druri.
“Kam hapur në 81-shin ekspozitë më vete në Pogradec vetëm me punimet e mia”, u shpreh Içka.
Llazi e ka trashëguar artin e gdhendjes së drurit nga gjyshi i tij, Mihali dhe babai i tij, Spiro. Drutë i gjen nga fshatrat përreth, nga Mokra e Bishnica. U kërkon banorëve copa të ndryshme ahu, gështenje, baja, bështenka, mani, bushi, rrobulli, dëllinje etj. Më pas u jep jetë atyre me formë dhe ide.
“E ble ose e marr nga këta. E cilësisë së mirë dhe e punoj”, tha ai.
Këtu në këtë studio duhet të jenë më shumë se 500 punime. Disa janë ornamente, disa janë për përdorim praktik si: karrige, tavolina, shkallë. Mjeshtëria e tij nuk njihet vetëm në Pogradec, por në të gjithë vendin. Gdhendja e drurit është art dhe një nga zanatet që po humbet.
Djali Pirroja sot pedagog në Universitetin “Fan Noli” në Korçë edhe vajza po ndjekin rrugën e tij. Vitin e kaluar me ftesë të fondacionit “Mikelanxhelo”, Llazi ishte në një ekspozitë në Venecia të Italisë së bashku me skulptorin dhe artistin Gëzim Hidri nga Librazhdi./abcnews.al