Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel ka thënë vendosja e një zone të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë është vendim i NATO-s, por sipas tij, ky do të ishte një hap i ngutshëm dhe me mundësi që ta eskalojë konfliktin drejt Luftës së Tretë Botërore.
“BE nuk është në luftë me Rusinë. Realiteti është se Rusia ka nisur një luftë të egër në Ukrainë, por Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, prandaj duhet të jemi tejet të kujdesshëm. Duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur për ta evituar një luftë të tretë ndërkombëtare”, ka thënë Michel gjatë një interviste me CNN.
Ai ka thënë se BE po bën përpjekje në nivele diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje në Ukrainë, shkruan Gazeta Express.
“Jemi duke u përpjekur që të ofrojmë sa më shumë mbështetje për Ukrainën në mënyrë që armëpushimi të arrihet sa më parë”, ka thënë ai.
Ishte kërkesë e presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski që ta vendosë zonën e ndaluar të fluturimit mbi Ukrainë, mes bombardimeve dhe sulmeve të pandalshme ruse mbi qytetet ukrainase. Deri tani, kjo kërkesë nuk ka marrë përgjigje nga liderët perëndimorë.
Michel ka thënë se kërkesa e Zelenskit është legjitime, por kjo gjë duhet të vlerësohet mirë, përpara veprimeve konkrete.
Ai ka theksuar se Perëndimi është i unifikuar.
“Z. Putin ka provuar t’i përçajë BE-në dhe SHBA-të. Ka dështuar. Ai, po ashtu, ka provuar që të dëshmojë që ne jemi të pazotë për të vepruar. Ka dështuar. Ndërmorëm masa ekstreme dhe vendime të rëndësishme që godasin drejtpërdrejtë ekonominë ruse. Është shumë e dhimbshme dhe besoj se Putin është vërtet i befasuar nga potenciali ynë për të vepruar”, ka thënë ai. /Gazeta Express