Manchester City fiton me vështirësi

schedule08:05 - 10 Mars, 2019

schedule 08:05 - 10 Mars, 2019

Mançester Siti hodhi një tjetër hap drejt mbrojtjes në titullit në Angli. Mundi Uatfordin në fushën e tij, falë tre golave të shënuar nga sulmuesi Rahim Stërling

Nuk pritej të mos fitonte, edhe pse ajo që dha në fushë nuk u pasqyrua menjëherë në rezultat. Mançester Siti pati durimin dhe klasin për të marrë tripikëshin në një ndeshje të vështirë, tipike të Premier Ligës, ndaj një kundërshtari të fortë fizikisht si Uatfordi.

Heroi i ndeshjes ishte sulmuesi Rahim Stërling, që shënoi tre gola. I pari ishte me polemika, që në minutën e parë të pjesës së dytë, pasi fillimisht u anulua për pozicion jashtë loje, por pastaj u quajt i vlefshëm. Sulmuesi i kombëtares shtoi golin e dytë në minutën e 50-të, dhe të tretin pa kaluar një orë lojë.

Uatfordi nuk lejoi të pësonte një humbje shumë të thellë, duke reaguar, e duke shkurtuar diferencën me anë të ish-lojtarit të Barcelonës, Gerard Deulofeu. Pavarësisht nga vështirësia në pjesën e parë, epërsia e skuadrës së Pep Guardiolës ishte e plotë, me 71 për qind mbajtje topi dhe me 19 gjuajtje drejt portës kundërshtare, me 9 prej tyre në kuadrat.

Uatfordi bëri shumë pak në sulm. Mos vallë, Siti tani është shumë i pjekur për të luftuar edhe në Angli, edhe në Champions?

Kjo do të shihet në javët në vazhdim, kur Liga e Kampionëve të bëhet shumë e vështirë. E sigurt është që mund të quhet favorit për të mbrojtur titullin. Siti ka 74 pikë ndaj 70 të Liverpulit, që gjithsesi duhet ende që ta luajë ndeshjen e kësaj jave./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!