Boksieri shkodran Nelson Hysa u vu në pranga mëngjesin e së shtunës, i akuzuar si pjesëtar i grupit kriminal të Bajrajve, grup ky i goditur vitin e kaluar. Boksieri u vu në pranga në Tiranë, ku jetonte që prej kohësh kur ishte shpallur në kërkim në Shtator të 2018-s.
Arrestohet një tjetër i dyshuar si pjesëtar i grupit kriminal Bajri në Shkodër. Në pranga është vënë boksieri i njohur shkodran Nelson Hysa. Siç njofton Policia e Shtetit, në vijin të operacionit “OAZ”, si pjesë e grupit kriminal “Bajri” me aktivitet të shtuar kriminal në Shkodër, mëngjesin e së shtunës u bë ekzekutimi i Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Renda Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest ne Burg” për 35-vjeçarin Nelson Hysa.
Ky i fundit ishte person i shpallur në kërkim në Shtator 2018, gjatë operacionit “OAZ”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Organizata kriminale, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive, e kryer në bashkëpunim”, për qëllime të fitimit pasuror.
Boksieri Hysa u kap në një banesë të marrë me qira në zonën e Komunës së Parisit Tiranë, gjatë operacionit të zhvilluar mëngjesin e së shtunës. Gjatë veprimeve proceduriale atij u sekuestrua një automjet “BMW Seria 3”. Grupi i Bajrave hetohet që prej vitit të kaluar dhe një pjesë e tyre po presin në qeli përfundim e hetimeve./abcnews.al