Itali, krizë në koalicionin qeverisës

schedule23:59 - 8 Mars, 2019

schedule 23:59 - 8 Mars, 2019

Një krizë e ashpër ka përfshirë koalicionin qeverisës në Itali, me kryetarët Mateo Salvini dhe Luixhi di Maio që janë përplasur në lidhje me ndërtimin e linjës hekurudhore Torino-Lion. Ndonëse ka përpjekje për qetësimin e ujërave, mediat italiane njoftojnë se kriza është mëse e qartë.

Koalicioni qeverisës në Itali është përfshirë nga një debat i ashpër mbi të ardhmen e linjës hekurudhore me Francën dhe siç njoftojnë mediat lokale, kriza ka filluar. Përplasjet nisën ditën e enjte dhe në vazhdim, përfshirë të premten, rritën rrezikun e një falimentimi qeveritar, pasi njëri nga partnerët e koalicionit akuzoi tjetrin se po vepronte në mënyrë të papërgjegjshme.

Linja hekurudhore që do të kalojë në Alpe mbështetet nga partia Liga e Veriut, por kundërshtohet nga aleatja e saj qeverisëse Lëvizja 5 Yjet, që pretendon se të ardhurat mund të investohen për të përmirësuar infrastrukturën ekzistuese të rrugëve dhe urave.

TAV është një projekt italo-francez që parashikon lidhjen e qytetit të Torinos me atë të Lionit, përmes një tuneli të gjatë 58 kilometra, punimet për të cilin kanë nisur prej disa vitesh.

Pasi lideri i Ligës, Mateo Salvini deklaroi në një intervistë televizive se nuk do të tërhiqet dhe se partia e tij nuk do të firmosë pezullimin e projektit, kreu i 5 Yjeve Luixhi di Maio e akuzoi atë se në këtë mënyrë rrezikon rrëzimin e qeverisë. Gjatë së premtes, ndonëse si Salvini edhe Di Maio janë përpjekur të qetësojnë ujërat, duke u shprehur të hapur për bashkëpunim, eksponentë të Këshillit të Ministrave kanë deklaruar se situata është shumë ndryshe.

“Ajo që po ndodh është e qartë. Këtu nuk bëhet fjalë për të hapur një krizë, por për një krizë që tashmë është hapur”, ka deklaruar nënsekretari i qeverisë, Stefano Bufanji, nga radhët e 5 Yjeve./abcnews.al