I bombarduar nga lajmet mbi luftën në Ukrainë, dola të marr pak ajër nga parku i liqenit.
Por nuk ishte e thënë që të gjeja “paqe”! Sa po u futa në zemër të parkut, para syve m’u shfaq një pamje shqetësuese. Ashtu si hordhitë e “zotit” Putin po shqyejnë pa mëshirë një vend të lirë si Ukraina, tre “zonja” po shqyenin edhe ato pa mëshirë një pemë të pafajshme mimoze.
Kishin mbushur krahët me lule të verdha dhe merrnin akoma të tjera. Mbase krahasimi nuk qëndron, por thelbi është i njejtë. Në veprimet e të dy palëve në arsyetim, ka disa të përbashkëta:
- Njeriu i shërben më së shumti egos së tij.
- Njeriu i do gjërat për vete, edhe kur ato nuk i përkasin.
- Njeriu kur arrin të marrë diçka, nuk ngopet, kërkon më tepër.
- Publikja është e jona, përsa kohë unë nuk e dua për vete. Në të kundërt, e marr dhe ty nuk ç’të duhet.
Lufta do të mbarojë dhe Ukraina do të ringjallet më e fortë dhe më e bukur.
Pema e mimozës do ta marrë veten nga brutaliteti i “vjelëseve” dhe pranverën tjetër do të çelë sërish.
I pandreqshëm do të mbetet vetëm mentaliteti i njeriut egoist. /abcnews.al