Senatori amerikan: Më e keqja nuk është parë ende

schedule08:17 - 1 Mars, 2022

schedule 08:17 - 1 Mars, 2022

Ligjvënësit amerikanë kanë pranuar informacione të klasifikuara rreth situatës në Ukrainë nga zyrtarë të lartë të mbrojtjes dhe ata të inteligjencës.

Është raportuar se në mesin e të dhënave ka pasur afate kohore të mundshme për rënien e Kievit dhe qyteteve tjera ukrainase.

“Më e keqja ende nuk është parë ushtarakisht”, ka thënë senatori republikan, Lindsey Graham, pasi ka dalë nga takimi.

Një ligjvënës ka thënë për rrjetin amerikan, CNN – në kushte anonimiteti – se afatet kohore që janë prezantuar kanë qenë “alarmuese”.

Senatori demokrat, Chris Murphy, ka thënë në Twitter se “lufta për Kievin do të jetë e gjatë dhe e përgjakshme”.

Murphy ka thënë se kombet e Perëndimit jo vetëm që do të ngrijnë, por edhe do të konfiskojnë asetet e presidentit rus, Vladimir Putin dhe oligarkëve më të mëdhenj, çka sipas tij mund të jetë një hap më tutje se që ka parashikuar Putin.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!