Nuk ndodhte prej 20 vitesh në Seria A, 4 skuadra në “luftë” për Schudetton

schedule15:35 - 28 Shkurt, 2022

schedule 15:35 - 28 Shkurt, 2022

Seria A është një nga kampionatet ku gara për të fituar titullin kampion këtë vit është shumë e fortë. Plot 4 skuadra në garë për trofeun e vetëm të kampionatit italian.

Një garë sa e luftuar po aq emocionuese në 20 vitet e fundit. Më 2001-2002, të paktën 3 skuadra mbetën në luftë deri në fund, një ngjarje që ndodhi rrallë më pas në Serie A. Të paktën deri më sot.

Napoli, Milan, Inter apo Juventus? Mundësitë janë po aty, shanset gjithashtu, pikët po ashtu, të katërta skuadrat mund ta fitojnë Scudetton këtë vit.

Napoli mbrëmjen e djeshme tregoi se është ndërtuar për të fituar, ndërsa u dërgoi një mesazh edhe kundërshtarëve dhe skeptikëve se jemi po aty në krye të klasifikimit të Seria A, gati për të rrëmbyer edhe trofeun. Një fillim i kampionatit i mirë nga napolitanët, një mes kampionati që mund t’i kushtojë në fund, por përsëri skuadra e Spallettit përballë Lazios tregoi forcë dhe karakter, që jo më kot mori edhe komandën e kampionatit me 57 pikë.

Milani po 57 pikë, i ngjitur pas Napolit, është po aty, për të bërë të vetin trofeun e shumë lakmuar në Seria A. Dy barazimet e fundit kanë zbehur paksa “ëndrrën” titull, por me Ibrën që pritet të rikthehet së shpejti, kuqezinjtë mund të kenë një “marsh” më tepër në garën e luftuar.

Interi që për pjesën më të madhe ishte ai që komandonte Seria A, përsëri mbetet i fortë në këtë garë. Me 55 pikë dhe një ndeshje për të zhvilluar kundër Bologna, një fitore mund të rikthehet në vendin e parë, dhe të vendosë diktatin e tij. Kampionët në fuqi duan të përsërisin sezonin e kaluar me mundësinë për ta fituar përsëri janë po aty.

E fundit po jo më pak e rëndësishmja është Juventusi i Dushan Vlahovic. E quajmë kështu sepse sulmuesi serb duhet se ka marrë mbi supe edhe fatin e “Zonjës së Vjetër” pas merkatës së janarit. Allegri ka tanimë golashënuesin më të mirë të kampionatit në gjirin e tij dhe një “bomber” që garanton gola, ato që bardhezinjëve iu kishte munguar në pjesën e parë të sezonit. -7 pikë nga kreu nuk janë as shumë por as pak, gjithsesi gabimet e tre skuadrave të tjera mund të bëjnë që Juve të përjetojë një nga momentet më të mira të saj që as në ëndrrat më të mira s’do e kishte imagjinuar. Me një Vlahovic në skuadër gjithçka mund të ndodhë. /f.a/abcnews.al